Policia e Kosovës gati për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftime

Prishtinë, 24 korrik 2022 – Policia e Kosovës njoftoi se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës të muajit qershor lidhur me kalimin e kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.

Në njoftimin e policisë thuhet se, ashtu siç parashihet në vendimin e qeverisë, nga 01 gushti 2022 çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë do të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një dokument hyrje/dalje që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

Dokumenti hyrje/dalje do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

“Me qëllim të zbatimit të vendimit, mundësimit të pajisjes më të shpejtë me dokument hyrje/dalje për qytetarët që kanë nevojë, shmangies së pritjeve dhe mundësimit të qarkullimit më të lehtë kufitar, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore, si në aspektin e burimeve njerëzore, po ashtu edhe në ato teknike e logjistike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës tha se, sipas detyrës, do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kompetente në interes të zbatimit të vendimit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallime.

Serbia e aplikon qysh prej disa vitesh të njëjtën praktikë për hyrje/daljet e qytetarëve me dokumente tëidentifikikimit të lëshuara në Kosovë.

Reciprociteti për letërnjoftime me Serbinë vjen pas reciprocitetit për targat e automjeteve.

PAJISJA ME DOKUMENTIN PËR HYRJE-DALJE

Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës nga data 1 gusht 2022 me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset me Dokument hyrje/dalje.

Dokumenti për hyrje/dalje do të zëvendësojë dokumentin e identifikimit personal gjatë hyrjes dhe qarkullimit në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe për shfrytëzim në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Dokumenti për hyrje/dalje do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror.

Dokumenti për hyrje/dalje ka afat vlefshmërie nëntëdhjetë (90) ditë.

Me dokument për hyrje/dalje pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjet, të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës  muajin e kaluar ka marrë vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj Serbisë për letërnjoftim.

Sipas vendimit, qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

(r.m.)