Prishtinë, 20 nëntor 2024 – Policia e Kosovës njoftoi se të mërkurën në fshatin Drobnjak të komunës së Zubin-Potokut ka gjetur uniforma, municion dhe pajisje ushtarake.
Ato janë gjetur nga pjesëtarët e njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikeve, të cilët kishin shkuar për ta kërkuar një të dyshuar në lidhje me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin-Potokut, i cili ishte hetuar në vitin 2018.
“Me datën 20.11.2024 rreth orës 12:00, njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikeve – Mitrovicë Veri, në koordinim me njësitë policore Mitrovicë Veri, me autorizim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore Mitrovicë në fshatin Drobnjak Komuna Zubin-Potok ka kërkuar të dyshuarin me iniciale (S.M.) si person në kërkim në lidhje me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin-Potokut i cili rast ishte hetuar në vitin 2018”, thuhet në njoftim.
Policia bëri të ditur se i dyshuasi nuk është gjetur në lokacionin ku dyshohej se mund të ishte, por në pronën e tij, në një vend të mbuluar me dhe në malin në afërsi, ka gjetur uniforma dhe pajisje tjera ushtarake.
“Në vendin e ngjarjes është thirrur njësia e specializuar, respektivisht njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive, ku gjatë kontrollit në 3 (tri) vende të tjera të groposura janë gjetur dhe sekuestruar pajisje të ngjashme. Dëshmitë të cilat janë gjetur dhe janë marrë nga Policia janë: uniformë ushtarake, pjesë të pushkëve të gjata, jelekë taktik՞, maska gazi, një tytë e pistoletës, një palë pranga dhe 1471 fishekë të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.
(r.m.)