Policia e Kosovës hap konkurs për pranimin e policëve të rinj në veri të vendit

Prishtinë, 4 janar 2023 – Policia e Kosovës njoftoi për hapjen e konkursit për pranimin e policëve të rinj në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicën Veriore.

Në nëntor të vitit të kaluar, qindra zyrtarë policorë serbë në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e pronarëve të automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.

Në njoftimin e Policisë thuhet se kërkohen policë të të gjitha minoriteteve që jetojnë në Kosovë (serbë, boshnjakë, malazezë, turq, goran, romë, ashkali, egjiptas, kroatë dhe maqedonas). Konkursi do të jetë i hapur deri më 26 janar.

Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 28 dhjetor 2022, u bëri thirrje serbëve që të aplikojnë për vende pune në institucionet e Kosovës.

“Zbrazëtinë që ekziston brenda institucioneve tona të përbashkëta pas dorëheqjes kolektive dhe kryesisht të detyruar, të disa qindra serbëve, ne nuk duam ta mbushim me shqiptarë”, deklaroi Kurti.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që e ka mbështetjen e Beogradit, kishte njoftuar se serbët do të tërhiqeshin nga institucionet e Kosovës në fillim të nëntorit të vitit të kaluar. Dorëheqje dhanë edhe gjyqtarët, prokurorët dhe personeli tjetër i sistemit tëdrejtësisë nga radhët e komunitetit serb. Në të njëjyën kohë dhanë dorëheqje edhe zyrtarët e Listës Serbe në institucionet lokale dhe qendrore, përfshirë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

Pas dorëheqjes së zyrtarëve policorë serbë, në katër komunat në veri (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok) policia ka dërguar zyrtarë nga rajoney tjera të vendit.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) deklaroi më 31 dhjetor se për shkak të dorëheqjeve në veri, ka vakuum në fushën e sigurisë, prandaj kërkoi që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.

(r.m.)