Policia e Kosovës i arreston 16 të dyshuar për kontrabandë me armë

Prishtinë, 19 mars 2025 – Policia e Kosovës, gjatë një operacioni të gjerë policor të kryer të mërkuren, i ka arrestuar 16 të dyshuar për kontrabandë me armë, përfshirë edhe një zyrtar policor. Identiteti i të arrestuarve nuk është bërë publik.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës, nëpërmjet një komunikate të përbashkët, njoftuan se operacioni policor është kryer në 21 lokacione në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq.

“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të mbështetura nga njësi relevante policore dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me datën 19.03.2025, pas hetimeve disa mujore, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione në Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq”, thuhet në njoftim.

Policia dhe Prokuroria nuk treguan se nga cilat vende janë importuar apo se në cilat vendet mund të jenë eksportuar armë e kontrabanduara.

Në njoftim bëhet e ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë e kzalibrave të ndryshme, 15 telefona mobilë, dy palë pranga, thika, tyta të armës, këllëfa armësh dhe një DVR.

Ky operacion është kryer pas hetimeve disamujore nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me mbështetjen e njësive policore dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.

Të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprave penale “detyrim” dhe “importim, eksportim, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësimi ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se zyrtari policor, i cili është arrestuar gjatë operacionit është pezulluar deri në përfundim të hetimeve.

“Polici është pezulluar përkohësisht gjatë arrestimit, deri në përfundimin e hetimeve. Nëse është i pafajshëm do të kthehet në punë”, ka thënë ai,

Elshani nuk ka dhënë më shumë informacione mbi policing e arrestuar, por Radio Evropa e Lirë, nga burimet e saj, ka mësuar se ai është pjesëtar i komunitetit serb.

(r.m.)

Comment

*