Policia e Kosovës në veri filloi shpërndarjen e letrave ngjitëse për targa

Prishtinë, 8 tetor 2021 – Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut ka filluar të shpërndajë letra ngjitëse për mbulimin e simboleve shtetërore në targat e automjeteve nga Serbia.

Në stacionin e policisë të Mitrovicës së Veriut janë hapur dy pika për furnizim me letra ngjitëse, në mënyrë që të përshpjetohet pajisja e qytetarëve, ka thënë Branisllav Radoviq, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, për Radion Evropa e Lirë.

Qytetarët duhet të furnizoheshin me letra ngjitëse në Qendrat e Regjistrimit. Mirëpo, Komuna e Mitrovicës Veriore, në ndërtesën e së cilës ndodhet Qendra e Regjistrimit, nuk është e hapur për punë me palët as këtë javë, për shkak se një zyrtar i certifikuar për punë me palët është i infektuar me koronavirus. Nënkryetarja e komunës, Adrijana Hoxhiq, ka thënë se komuna edhe Qendra e Regjistrimit do të fillojnë punën me palë të hënën, më 11 tetor.

Më 6 tetor, Jeta Tela, shefe e stafit dhe këshilltare e lartë e ministrit të Punëve të Brendshme, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, në përputhje me ligjin, të gjithë ata që nuk kanë letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e automjeteve të lëshuara në Serbi do të ndëshkohen. Ajo ka thënë se ndaj ngasësve të veturave që refuzojnë t’i mbulojnë simbolet shtetërore, edhe pse kanë mundësi të pajisen me letra ngjitëse, do të gjobiten.

Mirëpo, tash për tash, drejtuesit e automjeteve që nuk i kanë të mbuluara simbolet shtetërore me letra ngjitëse targat e automjeteve të qyteteve të Serbisë nuk do të ndëshkohen.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka thënë se furnizimi meletra ngjitëse po bëhet për shkak se ende nuk kafilluar puna me palënë Qedrën e Regjistrimit.

“Ne kemi për qëllim që qytetarët të respektojnë marrëveshjen dhe për këtë arsye jemi furnizuar me letra ngjitëse në mënyrë që ato t’iu shpërndajmë qytetarëve. Qendra e regjistrimit të automjeteve nuk ka punuar, prandaj ne po përpiqemi që qytetarëve t’ju japim kohë të caktuar që të furnizohen me letra ngjitëse dhe në këtë mënyrë të respektojnë marrëveshjen. Ndëshkimi është zgjidhja e fundit, vetëm nuk situata kur nuk ka rrugëdalje tjetër”, ka thënë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Simbolet shtetërore në targat e automjeteve nga Serbia dhe nga Kosova do të mbulohen meletra ngjitëse në bazë të marrëveshjes së arritur mes përfaqësuesve të të dyja vendeve, në Bruksel, më 30 shtator.

Marrëveshja çoi në shtendosjen e situatës në pjesën veriore të Kosovës. Grupe serbësh bllokuan për pothuaj dy javë rrugët pranë vendkalimeve kufitare në Jarinë dhe në Bernjak, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që targat e automjetevenga Serbia të hiqen në hyrje të Kosovës dhe të zëvendësohen me targa të përkohshme, njësoj siç kishte vepruar Serbia prej 10 vjetësh me target e automjeteve nga Kosova.

Beogradi reagoi ashpër ndaj këtij vendimi, duke cilësuar atë si shkelje të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, të nënshkruar në Bruksel më 2011 dhe të rinovuar më 2016. Por, Prishtina tha se ajo marrëveshje kishte skaduar më 15 shtator dhe se të dy palët duhet të zbatonin të njëjtën masë.

Mbulimi i ytargave me letra ngjitëse është planifikuar të zgjasë gjashtë muaj. Deri atëherë, një grup i përbashkët punues duhet të gjejë një zgjidhje përfun dimtare, bazuar në marrëveshjen e Brukselit.

(r.m.)