Policia e Kosovës pengohet të kryejë detyrën në afërsi të Liqenit të Ujmanit

Prishtinë, 10 shkurt 2022 – Një patrullë e Policisë Kufitare të Kosovës është penguar të kryejë detyrën në afërsi të Liqenit të Ujmanit, të mërkurën në mbrëmje.

Policia e Kosovës njoftoi se zyrtarët e saj e kanë vërejtur një kamion që dyshohej se po kontrabandonte mallra nga Serbia, por nuk kanë arritur ta ndalojnë pasi janë penguar nga dy automjete pa targa.

“Dy automjetet civile, me lëvizjet e tyre dhe krijimin e pengesave në rrugë, kanë penguar zyrtarët policorë, duke iu pamundësuar ndaljen e kamionit i cili dyshohej për kontrabandë mallrash”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në njoftim thyhet se zyrtarët policorë i kanë njoftuar të gjitha njësitë relevante, të cilat kanë asistuar në hetimin dhe kërkimin e personave dhe të automjeteve të përfshira në këtë incident.

Liqeni i Ujmanit gjendet në Komunën e Zubin Potokut, e cila është e banuar me shumicë serbe.

Në zonën kufitare me Serbinë, në pjesën veriore të Kosovës, janë zbuluar shpesh aktivitete kriminale, kryesisht kontrabandim me mallra nga Serbia. Në disa raste, Policia dhe Dogana e Kosovës kanë sekuestruar mallra të kontrabanduara. Disa persona janë arrestuar për aktivitete kriminale dhe janë proceduar në gjykata.

Njoftimi i plotë i policisë:

Informacion zyrtar

Prishtinë, 09 shkurt 2022

Sot në orët e mbrëmjes në afërsi të liqenit të Ujmanit në pjesën veriore të Mitrovicës, përderisa zyrtarët policorë të kufirit kanë vërejtur një kamion i cili dyshohej për kontrabandim mallrash, gjatë tentimit për ta ndaluar të njejtin, zyrtarët policorë janë penguar nga dy automjete civile pa targa.

Dy automjetet civile, me lëvizjet e tyre dhe krijimin e pengesave në rrugë, kanë penguar zyrtarët policorë duke iu pamundësuar ndaljen e kamionit i cili dyshohej për kontrabanë mallrash.

Lidhur me këtë rastë janë alarmuar edhe njësitet tjera relevante policore, të cilët kanë asistuar zyrtarët kufitar, për hetim dhe kërkim të personave dhe automjeteve të dyshuara.

Policia e Kosovës vazhdon angazhimin dhe përkushtimin në realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore, në zbatim të ligjit dhe parandalimit të veprimtarive kriminale.

(r.m.)