Policia e Kosovës shkatërron 20 mijë bimë kanabis në kufirin mes Kosovës e Shqipërisë

Prishtinë, 16 shtator 2023 – Policia e Kosovës njoftoi se të shtunën e ka shkatërruar një parcelë me 20 mijë bimë kanabis, në brezin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Plantacioni, me një sipërfaqe prej rreth një hektari, gjendej në Koshare, brenda të territorit të Kosovës, është zbuluar gjatë bashkëpunimit të policive të dy vendeve.

“Zyrtarë policorë nga DRPK-Perëndimi, që në ora 01:30, datë 16.09.2023, kanë filluar të zbatojnë një plan operativo-taktik. Në ora 03:00 njësitet policore kanë qenë në vendin ku janë mbjellë bimët narkotike (kanabis). Në brezin kufitarë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në Koshare, në afërsi të Piramidës C4, në brendësi të territorit të Republikës së Kosovës, në një sipërfaqe rreth një hektar, janë gjetur të mbjella rreth 20 mijë bimë, dyshohet të jenë kanabis”, thuhet në njoftim.

“Rasti do të vazhdojë të trajtohet në koordinim me njësitet anti-drogë dhe organet e drejtësisë. Lidhur me rastin, falënderojmë Policinë e Shtetit për bashkëpunim dhe koordinim në trajtimin e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

(r.m.)