Policia e Kosovës vendos pika kontrolli në rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviq

Prishtinë, 21 dhjetor 2022 – Policia e Kosovës ka njoftuar për situatën në pjesën veriore të Kosovës.

Në një komunikatë për media, Policia tha se menaxhimi dhe kontrolli i situatës së sigurisë në vend vazhdon të jetë prioritet kryesor i saj dhe se pjesëtarët e saj janë duke bërë përpjekje maksimale për tejkalimin e situatës së tensionuar prej disa ditësh në këtë pjesë të vendit.

Policia ka bërë të ditur se në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq ka vendosur pika kontrolli të automjeteve, për të siguruar lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët, pa dallim, dhe për të parandaluar veprimtaritë kriminale dhe kontrabandën.

Në komunikatë thuhet se Policia e Kosovës ka paraparë edhe detyra operacionale, me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt për qytetarët.

“Në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore Policia e Kosovës ka paraparë planifikime adekuate-operacionale në angazhimin e personelit dhe kapaciteteve të saj në mënyrë sa më racionale në arritjen e objektivave të ligjshme në gjithë vendin me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim.

“Policia e Kosovës, konkretisht zyrtaret policorë janë të përkushtuar për të ruajtur rendin dhe garantuar sigurinë e përgjithshme në gjithë vendin dhe varësisht prej nevojave të ndërmarrin veprime të nevojshme në teren në funksion të garantimit të ligjshmërisë”, thuhet në fund të komunikatës.

(r.m.)