Masat e marra nga Policia e Shtetit konsistojnë në disa plane
Knid Ndrenika
Policia e Shtetit në Tiranë njoftoi se ka hartuar planin e masave të sigurisë dhe rendit publik për ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kombeve në futboll ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.
Kjo ndeshje do të luhet në Stadiumin Kombëtar “Air Albania” në Tiranë në datën 10 qershor 2022 me fillim prej orës 20:45, të premten, nesër.
Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Drejtues i Parë Zef Laska tha se masat janë për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.
Drejtuesi Laska tha se duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, do të angazhohen gjithsej 1300 punonjës policie.
Masat e marra nga Policia e Shtetit konsistojnë në disa plane.
Kësisoj, policia garanton dhe siguron shoqërimin me eskortë të futbollistëve të Izraelit, nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit “Nënë Tereza” deri në hotel, në stadium si dhe në kthim për në Rinas.
Njejtë do të procedohet edhe futbollistëve të ekipit Kombëtar të Shqiptarëve në stadium.
Masat përfshijnë gjithashtu kontrollin e hollësishëm në mjediset brenda dhe jashtë stadiumit për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, përpara se të pranohen tifozët.
Pikat e kontrollit të tifozerisë do të organizohen përpara hyrjes në stadium në rrugët “Dervish Hima”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II” dhe te “Kolonat” në sheshin “Italia” (pranë stadiumit).
Policia tha se do të mbështesë gjithashtu stjuartët gjatë kontrollit të sportdashësve përpara hyrjes në stadium, organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës.
Siguria do të garantohet edhe për rrugëkalime të shërbimeve të emergjencës dhe menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Ndërkaq, rëndësi të veçantë i është kushtuar bashkëpunimit me të gjithë aktorët dhe faktorët që kanë rol në mbarëvajtjen e ndeshjes Federatën Shqiptare të Futbollit, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë) dhe spitalet, qendrat shëndetësore dhe Qendrat e Ndihmës së Parë.
“Kemi vendosur kontaktet dhe po bashkëpunojnë edhe me personelin e sherbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Izraelit, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare”-tha Drejtuesi Laska.
Kurse, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në Tiranë, në 10 qershor 2022, nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të kufizohet lëvizja e mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Masa të veçanta janë parashikuar dhe do të zbatohen për kontrollin e tifozëve para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve, si edhe përdorimi e tregtimi i pijeve alkoolike.
Policia kujtoi se në bazë të Kodit Penal të Shqipërisë, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Po sipas Kodit Penal, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë dhe kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Drejtuesi Laska kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, për zbatimin e rregullave të hyrjes dhe të qëndrimit në stadium, si dhe respektimin e masave kufizuese për qarkullimin, në mënyrë që të sigurojmë mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.