Policia izraelite hyn në xhaminë “Al-Aksa” në Jerusalem

Jerusalem, 5 maj 2022 – Policia izraelite ka hyrë në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem për të larguar protestuesit palestinezë të enjten, pasi vizitat e hebrenjve në këtë vend të shenjtë rinisën pas një ndërprerjeje gjatë festave myslimane.

Në javët e fundit ka pasur një sërë përleshjesh në kompleksin Al-Aksa, që është vendi i tretë i shenjtë për myslimanët, i cili është i ndërtuar në majën e një kodre, që konsiderohet vendi më i shenjtë i hebrenjve, të cilët i referohen si Mali i Tempullit.

Teksa vizitat e hebrenjve rinisën, dhjetëra palestinezë u mblodhën pranë xhamisë duke brohoritur “Zoti është i madh”. Përleshjet nisën pasi policia izraelite arrestoi një protestues palestinez. Policia përdori plumba gome, teksa palestinezët u strehuan brenda xhamisë. Më pas, forcat policore u panë brenda hyrjes së xhamisë.

Policia izraelite tha se u kundërpërgjigj pasi protestuesit hodhën gur drejt tyre, teksa një zyrtar policor u raportua se është lënduar lehtë.

Por, dëshmitarët palestinezë thanë se ata nuk kanë hedhur gurë në drejtim të policisë para se ajo të ndërhynte. Ndërkaq, disa palestinezë që u strehuan në xhami u panë duke hedhur gurë në drejtim të zyrtarëve policorë teksa ata po hynin në ndërtesë.

Sipas një marrëveshjeje joformale, hebrenjtë lejohen që ta vizitojnë këtë vend, por jo të luten në të. Në vitet e fundit, një numër gjithnjë më i madh i hebrenjve kanë vizituar këtë vend të shenjtë nën përcjelljen e policisë. Vizitat e hebrenjve kanë zemëruar palestinezët, por edhe Jordaninë fqinje, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e Al-Aksas. Palestinezët thonë se Izraeli mëton që ta marrë nën kontroll këtë xhami. Por, Izraeli thotë se dëshiron që ta respektojë marrëveshjen aktuale dhe akuzon grupin militant islamik, Hamas, për dhunën e fundit.

Vizitat e hebrenjve, që rinisën më 5 maj, ishin pezulluar gjatë dhjetë ditëve të fundit të Muajit të shenjtë të Ramazanit dhe gjatë festës së Fitër Bajramit.

Më 5 maj, në Izrael shënohet edhe Dita e Pavarësisë dhe ditëve të fundit disa grupe ekstreme u kanë bërë thirrje besimtarëve hebrenj që ta festojnë këtë ditë duke valëvitur flamujt e Izraelit brenda në këtë vend të shenjtë. Këto thirrje gjerësisht kanë qarkulluar në rrjetet sociale.

(REL)