Policia e Tiranës njoftoi SPAK-un se ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla nuk u gjet në Shqipëri këtë periudhë të shpallur në kërkim kombëtar
Knid Ndrenika
Policia në Shqipëri raportohet se ka njoftuar Prokurorinë e Posaçme, SPAK se nuk ka mundur të gjejë ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla i dënuar me dy vjet burg dhe 5 vjet mosushtrim të funksioneve publike.
Zoti Llalla u deklarua “fajtor” nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin numër 24 më 22 shtator 2021.
Policia e Tiranës njoftoi SPAK-un se ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla nuk u gjet në Shqipëri këtë periudhë të shpallur në kërkim kombëtar.
Andaj, pasi policia tha se se ka bërë të gjitha verifikimet me metoda speciale, kërkoi që SPAK-u të hapë procedurën e shpalljes së zotit Llalla në kërkim ndërkombëtar.
Sipas medias mbrëmjen e kësaj të enjteje se nga verifikimet, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Llalla është larguar jashtë Shqipërisë pak ditë përpara vendimit të gjykatës.
Por, ende nuk ka shenjë “të kuqe” si nivel i lartë kërkimi për zotin Llalla, të cilit po ashtu iu vendos sekuestrim dhe konfiskim i pasurive, përkatësisht apartament me sipërfaqe 67.2 m2, në Durrës dhe tokë arë, 4 (katër) me sipërfaqe gjithsej 22.300 m2 në Tiranë.
Akuza ndaj ish-Kryeprokurorit ishte për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, 3 (tre) herë, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim si dhe në bazë të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.