Policia konfirmon informacionin për kanosjen e kryetarit dhe tre deputetëve të LDK-së

Prishtinë, 18 janar 2023 – Policia e Kosovës konfirmoi se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe tre deputetë të kësaj partie janë kërcënuar me jetë.

Zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi, ka thënë se njësitë kompetente i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e Policisë së Kosovës, i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë Krasniqi.

Gazeta 10, duke iu referuar burimeve të saj konfidenciale, raportoi se ka një plan për atentat ndaj kreut të LDK-së dhe tre deputetëve të kësaj partie. Gazeta thotë se i di emrat e deputetëve të kërnuar, por nuk i ka publikuar ata.

Sipas burimeve të Gazetës10, kërcënimi është denoncuar nga organet gjermane të sigurisë, të cilat kanë rënë në gjurmë të një përgjimi ku flitet për një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe tre deputetëve të kësaj partie.

(r.m.)