Policia konfirmon se në veri të Kosovës janë mbyllur nëntë pika të Postës së Serbisë

Prishtinë, 5 gusht 2024 – Policia e Kosovës ka konfirmuar se në një aksion të nisur të hënën i ka mbyllur nëntë pika të Postës së Serbisë që operonin pa licensë në katër komunat veriore të vendit.

Nga tri pika janë mbyllur në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq, dy janë mbyllur në Zveçan, kurse një është mbyllur në Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani, i ka thënë se aksioni ka nisur pas njoftimit të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se operatorë ekonomikë po operojnë në territorin e Kosovës pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Ai ka thënë se informacioni ka rezultuar i saktë, prandaj policia e ka njoftuar prokurorin e shtetit i cili ka autorizuar operacionin policor.

“Pas një shkrese/informate të pranuar nga ARKEP se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe të pa regjistruar në ARBK, njësitë policore kanë shkuar për verifikim të këtij informacioni. Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë me ç’rast policia ka njoftuar prokurorin e shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve të tij”, ka thënë Elshani për Telegrafin.

Një punëtor i Postës së Seerbisë në Mitrovicë të Veriut i ka thënë Radio Evropa e Lirë se gjatë aksionit policor nuk ka pasur asnjë problem. Ai ka thënë se policia ka qenë korrekte dhe se askush nuk është ftuar për intervistim.

ARKEP-i është rregullator i fushës së komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare, i cili e mbikëqyr zbatimin e kuadrit ligjor për komunikimet elektronike dhe për shërbimin postar në Kosovë.

(r.m.)