Policia ruse shpërndan protestat kundër mobilizimit ushtarak, arreston mbi 700 persona

Moskë, 25 shtator 2022 – Policia ruse shpërndau protestat paqësore që u organizuan në disa qytete për të kundërshtuar shpalljen e mobilizimit të pjesshëm ushtarak nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Më 24 shtator, policia arrestoi më shumë se 700 njerëz në më shumë se 30 qytete në gjithë vendin.

Në Moskë u arrestuan mbi 300 persona, sipas organizatës OVD-Info, një grup i të drejtave të njeriut që monitoron arrestimet politike në Rusi.

Protestat nisën brenda pak orës pasi Putin shpalli dekretin për mobilizim ushtarak më 21 shtator.

Policia u vendos në të gjitha qytetet ku ishin planifikuar protestat nga grupi opozitar Vesna dhe mbështetësit e liderit të burgosur të opozitës, Alexei Navalny. Forcat e rendit i arrestuan protestuesit, shumica prej tyre të rinj, para se të nisnin protestat.

Presidenti rus tha se mobilizimi do të përfshijë vetëm qytetarët që aktualisht janë pjesë e forcave rezervë të ushtrisë dhe që kanë përvojë ushtarake, ndërsa zyrtarë rusë thanë se ky numër shkon deri në 300.000 qytetarë.

Putin, gjatë një adresimi drejtuar kombit, më 21 shtator, tha se mobilizimi do të nisë menjëherë.

Njoftimi për mobilizim të pjesshëm u bë një ditë pasi katër rajone ukrainase të pushtuara nga Rusia njoftuan për plane për mbajtjen e të ashtuquajturave referendume për t’iu bashkuar Rusisë.

(REL)