Ndërkaq, u shpall në kërkim policor pronari i banesës dhe bashkëpunëtori i tij, që kishin përshtatur mjedisin përkatës për të kultivuar drogën me llambat e rrymës
Knid Ndrenika
Policia zbuloi në Kukës një banesë të përshtatur si për kultivimin e lëndës narkotike kanabis, me anë të llambave të rrymës.
Shtëpia e barit u zbulua gjatë operacionit të koduar “First”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës.
Policia e ndërmori këtë operacion me kontrolle intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike në terren të hapur dhe në terren të mbyllur, me anë të llambave.
Ndërkaq, u shpall në kërkim policor pronari i banesës dhe bashkëpunëtori i tij, që kishin përshtatur mjedisin përkatës për të kultivuar drogën me llambat e rrymës.
Policia tha se mori informacione në rrugë operative, se në lagjen nr. 3, në qytetin e Kukësit, një shtetas kishte përshtatur banesën për kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa, në kushte laboratorike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “First” .
“Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 934 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në gota plastike, llamba elektrike, aspiratorë dhe aksesorë të tjerë që shërbejnë për ngrohje”-njoftoi policia.
Gjatë operacionit u lokalizua vendndodhja dhe u bë ndërhyrja në banesën e dyshuar, ku gjatë kontrollit u evidentua se njëra prej dhomave ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me llamba.
“Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, e pronarit të banesës, shtetasit K. H., 51 vjeç, dhe e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit H. S., 28 vjeç, të dy banues në Kukës”-thotë policia.
Ndërkaq, policia është duke punuar për të arrestuar shtetasit “K. H.” dhe “H. S.”, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.