Policia shpiptare pret ekstradimin e Lulzim Berishës nga Spanja

Tiranë, 15 dhjetor 2023 – Policia e Shqipërisë pret që Lulzim Berisha, i cili u arrestua në Alicante të Spanjës, të ekstradohet në Shqipëri.

“Vijon bashkëpunimi me autoritetet spanjolle për plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri,” deklaroi policia shqiptare.

Autoritetet spanjole nuk janë deklaruar lidhur me ekstradimin eventual të Berishës.

Sipas policisë shqiptare, Berisha u arrestua gjatë operacionit të koduar “Sant Joan”, i cili u realizua falë shkëmbimit të informacioneve me policinë spanjole.

Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i cili ishte në kërkim prej dy vitesh nga drejtësia shqiptare, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë.

Berisha ishte arrestuar në Shqipëri më 6 prill 2006.  Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte ngritur 10 akuza kundër tij, përfshirë akuzat për krijimin e një organizate kriminale dhe për një seri vrasjesh e atentatesh të kryera në vetet 1998 e1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, pasi ishte shpallur fajtor për pesë vrasje dhe disa atentate. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, por në vitin 2014 Gjykata e Lartë e rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg.

Pasi i shpëtoi dënimit me burgim të përjetshëm, Lulzim Berisha e fitoi edhe lirinë me kusht nga Gjykata e Apelit në Durrës, edhe falë mbështetjes së ish-kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili i dha gjykatës garanci se Berisha do të punësohej në Bashkinë e Durrësit, nëse ai nuk do të gjente punë në sektorin privat.

Në dhjetor të vitit 2021, ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë, por Berisha tashmë ishte i paarritdhëm për drejtësinë shqiptare. Prej atëherë ai ishte në listën e personave të kërkuar.

Në dhjetor të vitit 2020, SPAK akuzoi Berishën dhe kunatin e tij edhe për vrasjen e Vajdin Lamajt, por tre vjet më vonë prokurorët kërkuan në gjykatë lirimin e tyre nga kjo akuzë,  për mungesë provash.

(r.m.)