Policia spanjole sekuestron 11 tonë kokainë, mes 20 të arrestuarve ka edhe shqiptarë

Madrid, 12 dhjetor 2023 – Policia spanjole njoftoi të martën se, në dy operacione të veçanta, i ka sekuestruar 11 tonë kokainë dhe i ka arrestuar 20 persona, mes të cilëve edhe disa shtetas shqiptarë. Të arrestuarit u përkasin dy organizatave kriminale të trafikut të drogës.

Në njoftim thuhet se në portin veriperëndimor të Vigos janë sekuestruar 7.5 ton kokainë që vinte nga Amerika e Jugut dhe ishte e fshehur brenda kontenierëve me peshk ton të ngrirë, e cila do të shpërndahej në gjithë Evropën.

Sasia tjetër prej 3,5 tonësh është sekuestruar në portin lindor të Valencias, e fshehur në kontenierë transporti.

Policia i cilësoi operacionet si “goditje e madhe” për njërin nga rrjetet më të fuqishme ballkanike të shpërndarjes së kokainës në Evropë.

Sipas policisë spanjole, rrjeti i drogës kishte krijuar një kompani importi për të tregtuar peshk të ngrirë dhe për të investuar në pasuri të paluajtshme për të mbuluar aktivitetin që lidhej me sasitë e mëdha të drogës që vinin nga Amerika e Jugut dhe më pas shpërndahej në vendet tjera të Europës.

Kreu i Brigadës Qendrore spanjolle të Narkotikëve, Antonio Martinez, në një deklaratë për mediat, ka konfirmuar se mes të arrestuarve janë edhe disa shtetas shqiptarë. Ai ka thënë se gjatë operacionit janë arrestuar shtetas spanjolë, shqiptarë, kolumbianë dhe dominikanë.

Sipas shtypit qëndror spanjoll, rrjetet kriminale nga Europa Lindore, të përbëra nga shqiptarë, serbë dhe kroatë që nga viti 2017 kanë qenë një kërcënim global dhe një dhimbje koke për njësitë e antidrogës në Spanjë, qysh nga viti 2017.

Spanja është një pikë strategjike për transportin e drogës nga Amerika e Jugut drejt vendeve europiane.

(r.m.)