Policia thotë se sulmi në shkollën e Beogradit ishte planifikuar një muaj

Beograd, 3 maj 2023 – Policia e Serbisë tha i dyshuari për sulmin në një shkollë fillore në Beograd e ka pranuar krimin dhe ka deklaruar se ai e kishte planifikuar sulmin një muaj.

Në sulmin me armë zjarri në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Vraçar të Beogradit, të kryer të mërkurën në mëngjes, janë vrarë 8 nxënës dhe një rojë sigurie dhe janë plagosur gjashtë nxënës dhe një mësuese.

Policia tha se i dyshuari për sulmin, 14 vjeçari K.K, nxënësi i kësaj shkolle, është arrestuar në oborrin e shkollës.

Arrestimi i autorit te sulmit ne shkollen fillore 'Vladislav Ribnikar' ne Beograd

Arrestimi i autorit te sulmit ne shkollen fillore ‘Vladislav Ribnikar; ne Beograd

Shefi i Departamentit të Policisë së Beogradit, Vesellin Milliq, ka thënë se i dyshuari e ka pranuar se e ka kryer krimin dhe se këtë ai e kishte planifikuar prej një muaji.

Milliq ka thënë se i dyshuari e kishte një listë të nxënësve që kishte planifikuar t’i likuidonte, por motivet për  kryerjen e këtij akti nuk dihen ende.

Ai ka treguar se autori i ka përdorur dy pistoleta, njëra e kalibrit 9 milimetra me tre fishekë dhe tjetra e kalibrit të vogël, dhe se autori i kishte sjellë në shkollë edhe katër kokteje molotov.

Miliq ka treguar se autori, me të mbërritur në shkollë, e ka nxjerrë njërën armë nga çanta e tij dhe e ka qëlluar rojen e sigurisë D.V. pastaj ai i ka qëlluar tri nxënëse që ndodheshin në afërsi. Më pas ai ka shkuar drejt kabinetit të historisë, rrugës e ka ndërruar karikatorin dhe sapo ka hyrë brenda ka hapur zjarr ndaj mësuesit dhe nxënësve. Pastaj ka dalë nga klasa, ka shkuar në oborrin e shkollës dhe e ka marrë në telefon policinë.

Miliq ka thënë se autori është prezantuar me emër e mbiemër dhe ka raportuar se ai ishte përgjegjës për krimin.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratislav Gashiq, ka thënë se sipas informacioneve jozyrtare, i dyshuari për sulmin kishte shkuar në poligonin për qitje bashkë me babain e tij.

Ai ka bërë të ditur se është arrestuar edhe babai i autorit, si pronar i armës që ka përdorur i biri, por nuk ka saktësuar se sa armë i kishte ai në posedim.

Gashiq ka thënë se ndaj babait të autorit do të merren masa ligjore.

Nxënësit e klasës së autorit e kanë përshkruar atë si një djalë të qetë e të tërhequr dhe si nxënës shumë të mirë. Ata kanë thënë se nuk kanë parë asnjë shenjë çrregullimi dhe se ai kishte pasur sjellje normale në shkoll.

Por, nje shoqe e klasës që ka  arritur të dalë nga klasa dhe t’i shpëtojë sulmit ka thënë se autori e ka nxjerrë armën nga çanta me gjakftohtësi dhe ka filluar të qëllojë, së pari  mësuesen, e pastaj nxënësit, të cilët po fshiheshin nën bankat shkollore.

Qeveria e Serbisë ka shpallur tri ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të këtij krimi.

(r.m.)