Polifonia labe, kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit

Kumtesë e mbajtur në Harvard, më 6 prill, 2025

Këze Kozeta Zylo

Nuk është aq e lehtë që të mbash një kumtesë të tillë si Polifonia Labe këtë kryevepër të Trashegimisë gojore të njerëzimit. 

M’u desh nje studim i gjatë i detajuar për të arritur në këto përfundime llogjike dhe për t’ja sjellë publikut në këtë tempull të dijes së njerëzimit.

Cfare binomi i mrekullueshem krijohet midis Harvardit ky tempull i dijes së njerëzimit dhe Polifonisë Labe kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit mbrojtur nga UNESCO, më 25 nëntor 2005.

Që të bëhesh një oratore e vërtetë, apo të shkruash me elegancë dhe art o duhet të mësosh tekstet e folklorit të këngëve labe, apo për më tepër t’i këndosh, ose duhet të mësosh përmendsh dhe të intepretosh Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës.

E meqënse kam si temë polifoninë labe kumtoj se kënga labe sjelle histori të pashoqe të Kombit tonë, jo vetëm të viseve jugore, por në mbarë Shqipërinë, në mbarë trevat e lëna jashtë nga perandoritë dhe fuqitë e mëdha europiane. 

Duhet të më kuptoni miq te dashur se nuk ka banor që lind në ato vise të mos rritet qysh në bark të nënës me këngën labe.  Të dëgjoje nënat e bebeve me ninullat më të bukura, më të ëmbla pranë veshit duke pirë sisë dhe duke u nanurisur për gjumë doemos do të pasuroheshe do të visheshe me dritë. 

Qysh fëmijë jam magjepsur me zërat e marrësit, kthyesit dhe hedhësit dhe isove të grupit.  Dasmat labe, vajtojcat labe, darkat familjare kanë qenë një nga universitetet më prestigjioze shpirtërore, ndryshe do të këndonin të gjithë.  Por jo kjo nuk më rezulton kurrë, po qe se nuk je lindur dhe rritur në viset jugore aty ku këndohet kënga labe.

Po si spjegohet kjo magjepsje, kjo jetesë qëkur ka lindur njerëzimi bashkë me këngën në buzë?  Është fuqia e artit, metaforat e hatashme të pa mësuara në shkollat teknike, por nga folklori gojor, drithërues, gjetjet gjeniale brez pas brezi. 

Si këngët erotike, burrërore, epike, luftarake, vajtuese janë shndritëse, verbuese, goditëse në zemër, në sy, në vesh dhe gjëmojnë sa tunden malet. Ç’i kanë punuar barbarët tokës sonë mëmë, por nëse nuk do të ishte kënga folklorike e Kombit si dhe e Labërisë shumë ngjarje historike do të zhdukeshin nga faqja e dheut.  Ja le të kujtojme vuajtjet e tmerrshme, djegiet, vrasjet, kalbjet nga shovinistët e regjimit grek në vitin 1913 dhe si e kanë perjetësuar në kengen labe këto gjëma kënduar nga grupi i Tepelenës në festivalin folklorik të Gjirokastrës.

“Seç na erdhi greku me urë në dorë/ Gratë e Kurveleshit shkojnë për në Vlorë/ Me djepe në krah, me foshnja në dorë/ Qaj, moj Shqipëri, ulëri e gjorë…”

Kënga është ulëritëse, e frikshme, e llahtarshme përjetimet që panë gratë e labërisë, kur pane fqinjin e marrosur duke ecur në këmbë dhe duke djegur e shkretosur çdo gjë që gjenin përpara s’të hiqet kurrë nga mendja.  Nënat me djepe në krah u arratisën për në ullishtet e Vlorës, në vendin që të gjenin paqe pranë ullinjve.  Degët e ullirit u binin mbi krye foshnjave që po gjenin paqe në qiell të hapur nga banditët grekë.  Kjo është histori e shkruar letërsi gojore folklorike, është gjëmëmadhe dhe nuk ka nevojë fare të dëshmosh me historianë apo pseudohistorianë që mohojnë, por jo kënga labe në grup, në ecje, lëvizje dhe kudo tregon tmerret qe panë dhe hoqën me sytë e tyre në vinin 1913, një vit pas shpalljes së Pavarësisë.  Nuk mund ta duronte dot fqinji Pavarësinë e Shqipërisë, por rrëmbeu urat e zjarrit për t’i vënë flakën Labërisë dhe viseve jugore.

Natyrisht jam me fat që jam rritur me artin e këngës labe magjepsëse, me historitë dhe e pamundur t’i përmbledhësh në  këtë kumtesë, por po sjellë disa më pikantet në zemrën time dhe të popullit si “Bilbilenjtë ” që  mjerisht brezi i ri sidomos i lindur dhe rritur ne Diasporë vështirë  se mund t’i ketë dëgjuar. Ndaj na del detyrë ne edukimin historik dhe estetik.

Të mësosh për bilbilenjtë e Labërisë është si të kesh miq gjithë bilbilat e pemëve që këndojnë që deri më sot s’ka zog nga lloji që i arrin në zërat e tyre në kor. 

Kur e dëgjoj këngën Trembedhjetë Bilbilenjtë apo e këndoj si një amatore gati “çmendem” në kuptimin metaforik, më vë në mendime si psh: Si është e mundur që këta Trembëdhjetë Bilbilenjtë vanë në litar vetë, jua kërkuan si dëshirë të fundit barbarëve.

Po ç’ishin këta Bilbilenjë, këta luftëtarë të paepur për Shqipëri? 

Birbilenjtë kanë qenë një çetë kaçakësh shqiptarë të viteve 1850-60, qëkur u kapën nga autoritetet turke ishin 13 vetë, edhe pse grupi kur ishte aktiv shkonte deri në 50 vetë. Emërtimi u ngeli në kujtesën popullore nga emrat e komandantëve, Bilbil Shako e Bilbil Resuli. Ishin kryesisht të rinj të fshatrave Nivicë, Rexhin, Gusmar, Progonat, Lekdush, Smokthina e nga zona të tjera të Labërisë. Sulmonin karvanët ushtarakë turq, fama e tyre bëri që për shumë vite, autoritete turke t’i rrinin larg krahinës së Kurveleshit. U kapën me tradhti dhe u ekzekutuan me varje në Janinë.

Çfarë krenarie!  Të mbrosh Labërinë, këtë zonë të jashtëzakonshme për Kombin për Jugun nga Bilbilenjtë dhe të mos lesh një Perandori turke më e madhja në botë të mos shkelë në trojet e Labërisë është më shumë se heroike, është gjithçka kombëtare dhe do kenë nderim në përjetësi! Ja si ju këndohet në këngët labe:

Bilbilenjtë trembëdhjetë/Vanë në litare vetë/ -Ngreu Bilbil e hidh litarë, -Dale bej të dredh cigarë/ Se s’jam çanaku me dhallë/ Po jam Bilbili me pallë…/Lanet paç Xhelal Voshtina/Vare trembëdhjetë trima…

Interesant shkencor mjekësor janë shumë fakte që mësohen nga këto këngë për trimat legjendarë.  Me ka lindur pyetja se pse bilbilenjtë e Labërisë kërkuan cigare dhe këtë e mësova nga ata.  Gjatë varjes ngaqë mungon oksigjeni, të varurit përpiqen të hapin gojën e të nxjerrin gjuhën jashtë, natyrisht nje transformim i fytyrës, ndjenjave e gjithçka. Nëse shtrëngon diçka në dhëmbë gjuha nuk del jashtë, dhe është kjo arsyeja për të cilën Bilbili kërkon cigare.

Se s’jam çanaku me dhallë/ Po jam Bilbili me pallë.

A nuk jane 13 male më këmbë siç thotë dhe grupi i Rexhinit në festivalin e Gjirokastrës më1988?  C’bën gurra popullore, me forcen e artit, me gjakun e zemrës arrin të sjellë këto mrekulli folklorike pranë nesh.

Të gjitha etapat nëpër të cilat ka kaluar historia e Kombit tonë nuk ka këngë labe që të mos i ketë përjetësuar sikur të jetë një akademi shkencore botërore, pse jo një Harvard.  Ja le të hidhemi në betejën e famshme të grykës së Mezhgoranit ku fashistët italianë lanë kockat ne Mezhgoran, ne ato male aq të larta, ata erdhën të pushtonin trojet tona, me bomba dhe municione, por gjetën vetëm vdekjen…

Biri i Labërisë, Ylli i Lirisë Asim Zeneli ra heorikisht në betejë, atje ku vriten vetëm trimat.  Mezhgoranasit i kënduan në këngën labe: Te Gorica në të dalë/ O Asim, o lule djalë/ Të mori plumbi në ballë/ O Asim, o biro djalë! 

Çfarë ligjërimi nënash duke e thirrur, bir, djalë, lule e rinisë!

Asim Zeneli ra si burrë në fushë të betejës në Mezhgoran kunder fashisteve italiane, me 2 korrik 1943.

Një nga grupet polifonike më autotkton dhe me unik në gjithë Kombin është Grupi i Arrëzës së Madhe Tepelenë.  Kjo këngë ka lindur bashkë me arrëziotët kushedi në ç’shekull daton dhe këndohet në grup.  Magjia e këngës është se po transmetohet ndër breza, por natyrisht duhet një studim i mirëfilltë nga historianët e artit dhe të kulturës për këtë pasuri kombëtare.  Sa herë e dëgjoj këngën “Lule Fejzo Arrëza” magjepsem për forcën, timbrin, muzikalitetin, vibrimet e kthimit, të marrësit, të hedhësit dhe të isove.  Çfarë larushi ngjyrash në zë dhe në forcën e përcjelljes!  Askush s’mund ta këndoj këtë këngë.  Kendohet per heroin Fejzo Arrëza që u vra në vitin 1878 nga andartet greke.  Fejzo Arrëza legjendari i luftërave heroike, vuri nën komandë rreth 200 burra për të luftuar me trimëri kundër andartëve grekë.

Arrëza e Madhe ka marrë pjesë në 1981 në Festivalin e Gjirokastrës dhe ja vargjet:

Dielli majave seç ra, lule Fejzo Arrëza/ erdhi çobanka të tha: ik o Fejzo mos u vra/ se ata janë 40 e ca! U përgjigj trimi me pallë/ Fejzua nuk iken i gjallë/ pa e bërë kërmë dynjanë, leonillën me gjithë vëllanë/ lule Fejzo Arrëza/ në shpëtofsha këtë radhë, nuk e le hakun pa marrë, mos paca faqen e bardhë, vuvu-së po si vura zjarrë/ Lule Fejzo Arrëza.

Apo kënga për trimin për Hodo Nivicën i cili ishte një prijës popullor në Kryengritjen e vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit, krahas Tafil Buzit, Zenel Gjolekës, Çelo Picarit.  Ata bien në betejë si heronj të vërtetë, si heronjtë e antikitetit, si heronjtë kudo. 

Çfarë force, cfarë gjëmash iu kanë ndodhur pranë syve, por ata nuk pyesnin luftonin dhe populli me magjinë e fjalës duke i ngritur në qiell i këndon:

“Gjylja mbi kokë i ra/ Koka më dysh iu ça/ Ai bën sikur se pa…”

Është vërtetë epike, heroike, frymëzuese gati e paarritshme.  Ai u vra gjatë sulmeve malazeze në Veri në Shpuzë të Podgoricës, më 1852.

Këto këngë autoktone kanë efekte tronditëse, çudibërëse dhe të sjellin si në film gjithë ato male, qiej dhe jehonën e Vjosës që s’do të ndalojë kurrë.

Apo kënga për Tafil Buz mustaqeziu që i vuri kufirin tek thana Perandorisë turke. Ai ishte udhëheqësi kryesor i kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitet 1828-1847. A e kuptoni se çdo të thotë që një djalë buzjot nuk i pagoi taksat nuk u bë skllav, mbrojti trojet e veta dhe i dërgoi osmanet me bisht ndër shalë në Anadoll? Hajde ta kuptoj brezi i ri që me siguri se kanë idenë kush ishte ky trim i pashoq nga Buzi i Tepelenës?  Ndë Stamboll karta dërgojnë/

Se raeja po lëftojnë/ Se e dinë me kë lëftojnë/ Me Gjon Lekë Kuçin thojnë/ Gjon Lek’ e Hodo Aliu/ Mbë dorë palla ç’ju ngriu/ Tafil Buz-mustaqeziu/ Nga Gryk’ e Kuçit arriu,

E meqënse na hodhën fatet në emigrim e pamundur mos të citoj disa vargje nga kënga perlë e  Neço Mukos si:“Vajz’ e valëve” ku shumë vasha dhe djem në emigrim gjejnë vehten

Vajz’ e valëve/ zëmëra s’ia mban/ mbi një gur anës së detit/ qan, e zeza qan/ e mjera, qan e zeza qan/ Pret atë që pret/ dhe një dhëmbje ndjen/ Gjithë bota ven’ e vine/ po ai nuk vjen/ e mjera, po ai nuk vjen.

Historia shkruhet lirisht dhe plot art edhe në lidhjet shpirtërore midis Kosovës dhe Shqipërisë.  Një këngë e tillë rrëmbeu zemrën time dhe të Qemalit nga “Thesaret Labe” me drejtor artistik Viktor Aliu të cilët për herë të parë u ftuan nga Alba Life në Diasporë.  Pra nje grup lab vinte për herë të parë nga Shqipëria dhe tundi Nju Jorkun.  Kënga si: Tungjatjeta moj Kosovë,

Vjen nga motër Labëria/ Na bekoi Zoti me gojë/ Të jemi një gjak të dyja.

Moj polifonia jonë/ Mbretëreshë në rruzullime/ Gju më gju fjalën e shtron/ Me lahut e çiftelinë. 

Kur këndojnë “Thesaret Labe” nga Shqipëria magjepsem dhe nje Vjosë lumi të tërë derdh nga sytë e mi të lagur nga lotët e mallit.  Në këtë këngë që ka fjalët më të bukura dhe më shpirtërore si dhe më të kërkuarat nga populli, larg nga politikanët, bashkohemi dhe bëhemi një. 

Këta janë bandillët e këngës labe që e këndojnë aq në mënyrë të hatashme dhe mbollën në zemrat tona një Pemë Arbërore me rrënjë sa vetë lashtësia e njerëzimit. 

E pamundur të mbledhësh gjithçka në këtë kumtesë për polifoninë labe.  Një vend tejet artistike të veçantë zënë vajet labe, ja po sjelle nga legjendari i këngës labe Maliq Lila kushtuar nënës

Erdha të putha gjirin e tharë/ Por dot nuk t’a nxorra mallë/ Oh nënë/ Det i thellë e i pamatur dhëmbshurie/ Sa më prite atë natë…ti e dije/

Duke dëgjuar këngë vaji, duke marrë pjesë në shumë morte, unë nuk mbaj mend që në anët tona të labërisë apo toskërisë në përcjellje të njerëzve në botën tjetër te ndodh që gratë të mos i përcjellin me ligje, me vaje.  Te jesh në këto ceremoni të shkulet zemra prej vendit, nga arti drithërues dhe fjalët që i thurren të vdekurit.  Vajtimi është një pasuri tjetër e artit të polifonisë labe, jo më kot korifeu i letrave shqipe, një nga figurat me emblematike të Kombit, student i Harvardit ku jemi mbledhur sot, Fan Stilian Noli lë amanet: “Kur të vdes të më përcillni me këngë labe”

Le te permendim edhe këtë vaj ne Himarë se si motra qan të vëllanë:

Vëllai nurë; Korba ditë e korba natë; O biro, biri im; Derëzeza që në ballë; U e zeza për vëllanë; E zeza, o rrënjëdalë; O rrënjëdali vëlla, Hajmedet.

Vërtetë ngulçet e klithmave vajtore nga vajtojcat e Labërisë janë këngë të përvajshme, në shpërthime të dhimbjes për të vdekurin që s’kthehet më. 

Në fakt këto janë rite mortore në gjithë vendin, psh në Eposin e kreshnikëve Kënga “Ajkuna kjan Omerin” është e jashtëzakonshme, afektuese, ku me të drejtë ne ishte një historian i lashtë grek shkrimet e Herodotit, i cili fliste për vajtimet kolektive të Ilirëve”.

Në veprat e Herodotit gjejmë të dhëna të shumta për pellazgët dhe ilirët.

Këngët labe të dashurisë janë një minierë e pasur me xhevaire metaforash, vitalitet krijues, që nga koha më e lashtë e deri në ditët tona. Ja le të sjellim një prej tyre që mban vulën e Bardit të poezisë labe Lefter Çipa si:

O duke tundur zbret nga mali/ Me shaminë lidhur te balli/ Tundu moj bejkë e bardhë, tundu/ Natën me hënë, duku! Bejkë e bardhë e borë e malit/ Ti je ilaçi i çobanit/ Kur mbush ujë te burimi/ Më dukesh si lule prilli.

Apo kënga aq e dashur si “Vito, më iku fiqiri”

Marrës: Nazif Çela, Vitori Balili

Vito¹, më iku fiqiri/ kur dole përpara tëndës/ Djalë, të gënjeu syri/ duket nga argjëndi Hënës/ -Shkoi Vita, shkoi/ mënt’ e mia vanë/-Një faqe behari, djalë ta këputa xhanë/ -Një faqe behari, vitëç’ma këpute xhanë/ -Shkoi vita, shkoi/ djalë? Mënt’ e tua vanë.

Çfarë bashkëbisedimi midis djalit që po i ikën fiqiri nga dashuria dhe pasioni për të, i iku mendja nëse Vito nuk i fal dashurinë.

Ndjesitë e ëmbla gjer në pejzat shpirtërore e bën këtë këngë shumë të njohur dhe të dashur për publikun kënduar mjeshtërisht nga grupi i Vranishtit.

Apo kur ju këndojne djemtë vashave si: O moj vashë e bukura/ ndaj të mora me Sevda/ Sevda kam sa përvëlohem/ por jam djalë e turpërohem…Të kesh mall per sevdanë time….

Apo: Fol e mos fol/ fol se kam Sevda/ belin e holle/ Hajde marshalla/ ose: O sevda ku më kulise/ me dy cica byrynxhyke (te holla)

Keto janë vargje me një muzikalitet të ëmbël si vetë dashuria, farfuritëse.

Këto këngë bëjnë që vashat të hedhin vellot e bardha si perëndeshat e bukurisë ndërsa djemtë me qylafet e bardha kanë magjepsur botën me larushi ngjyrash çka është një pasuri e rrallë e artit shqiptar në botë.

Këto këngë labe janë magjistare shumëzërëshe dhe bëhen hënë e praruar në botën e pafund.  Zërat si gurgullimë krojesh nga gurët e zalleve të bardhë, janë shenjtëri, janë bekim i ruajtjes së trashëgimisë popullore të ruajtur në gjak, në zemra, është padyshim ADN-ja jonë.

Polifonia Labe është mbreteri arti, një pasuri botërore, ndaj e kemi detyrë ta ruajmë se është ndërgjegje dhe pasuri e Kombit, është kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit

Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Referencat:

1-Prof. Dr. Bardhosh Gace, Spiro Shituni “Polifonia Labe”

2-Prof. Dr. Rami Memushaj “Histori e Kurveleshit”

3-Herodoti Historiarum, libri IX edit. Henr. Rudolph.

 

 

Comment

*