Beograd, 1 dhjetor 2022 – Qeveria e Serbisë emëroi të enjten një politikan të palëkundur pro-rus në postin e shefit të agjencisë së spiunazhit të shtetit ballkanik.
Aleksandar Vulin, i cili shërbeu si ministër i Brendshëm i Serbisë në qeverinë e mëparshme dhe mbante postin e ministrit të Mbrojtjes më herët, mori detyrën e drejtorit të BIA-s, agjencisë serbe të zbulimit, njoftoi qeveria serbe në një deklaratë.
Si ministër i Brendshëm i Serbisë, Vulin vizitoi Moskën në muajin gusht, një vizitë e rrallë nga një zyrtar shtetëror evropian, që nënvizoi refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak te agresionit të saj në Ukrainë.
Ai i tha gjatë asaj vizite ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione dhe nuk është bërë pjesë e histerisë anti-ruse”.
Serbia, e cila kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, prej vitesh po shmanget nga rruga e saj drejt BE-së duke u orientuar drejt aleatit tradicional sllav, Rusisë, si dhe Kinës.
Aleksandar Vulin konsiderohet “njeriu i Moskës” brenda udhëheqjes serbe. Emërimi i tij në një post kaq të ndjeshëm të zbulimit shihet si një tjetër përçmim ndaj Perëndimit dhe thirrjeve të tij që Serbia të harmonizojë politikat e saj të jashtme me BE-në nëse vërtet dëshiron t’i bashkohet bllokut.
Emërimi zemëroi opozitën properëndimore të Serbisë.
“Emërimi do të ndërpres plotësisht” bashkëpunimin e BIA-s me agjencitë perëndimore të sigurisë dhe do të kontribuojë në “izolimin shtesë ndërkombëtar të Serbisë”, tha partia opozitare Lëvizja e Qytetarëve të Lirë në një deklaratë, duke vënë në dukje se Vulin “mbron hapur pozicionet pro-(Vladimir) Putinit” dhe se emërimi i tij e përcakton Serbinë “si aleatin e vetëm të Rusisë në Evropë”.
Marinika Tepiç nga Partie e Lirisë dhe Drejtësisë tha se është e bindur që emërimi i Vulinit “tregon se Serbia po shkon drejt diktaturës” në të cilën “do të lejohen të gjitha mjetet në luftën kundër kundërshtarëve politikë”.
Izborom Vulina na čelo BIA ugrožena je bezbednost i građana i Srbije!
— Marinika Tepić (@MarinikaTepic) December 1, 2022
Ovo je skandalozan potez Vučića i partije na vlasti da nestabilnu osobu bez miligrama kredibiliteta, umešanu i u fizička maltretiranja po kafićima, stave da upravlja državnom bezbednošću!https://t.co/GhalQnfU13
- Vulin ka thënë se Serbia duhet të braktisë përpjekjet saj të anëtarësimit në BE dhe t’i drejtohet Moskës, duke i sulmuar shpesh shtetet fqinje të Serbisë dhe udhëheqësit e tyre dhe duke i quajtur me emra përçmues. Atij i është ndaluar hyrja në Kroaci, anëtare e BE-së.
Ai e ka mbrojtur krijimin e të ashtuquajturës “Bota Serbe” – një kopje e “Botës Ruse”, që do të bashkonte të gjithë serbët në Ballkan nën një flamur të udhëhequr nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Vitin e kaluar, Vulin thuhet se kishte krijuar një “grup pune” me Nikolai Patrushevin, sekretarin e fuqishëm të Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, për të luftuar “revolucionet me ngjyra” – një seri protestash masive që ndonjëherë çuan në përmbysjen e regjimeve autokratike kryesisht në Lindjen e Mesme dhe në Azi.
Mediat e pavarura serbe kishin raportuar se në takimin e tyre në Moskë në fund të vitit të kaluar, Vulin i dorëzoi Patrushevit përgjimet nga një takim në Beograd të anëtarëve të opozitës ruse.
Menjëherë pas takimit të Beogradit, disa pjesëmarrës u arrestuan në Rusi. Vulin ka mohuar t’i ketë dorëzuar përgjimet Patrushevit.
(Zëri i Amerikës)