Varshavë, 2 korrik 2023 – Polonia njoftoi të dielën se do të dërgojë 500 policë në kufirin e saj me Bjellorusinë për të forcuar masat e sigurisë, ndërsa shtohet numri i emigrantëve që kalojnë si dhe për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm pas strehimit në Bjellorusi të grupit mercenar Wagner.
“Për shkak të situatës së tensionuar në kufirin me Bjellorusinë, kam vendosur të shtoj përforcimet me 500 policë nga njësitë parandaluese dhe kundër terrorizmit”, u shpreh në rrjetin Twitter Ministri i Brendshëm Mariusz Kaminski.
Aktualisht, Polonia ka 5,000 roje kufitare dhe 2,000 ushtarë në kufirin e saj, tha ministri.
Polonia e ka akuzuar Bjellorusinë se që nga viti 2021 ka krijuar një krizë artificiale migrantësh në kufi, duke sjellë me avionë njerëz nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe duke u përpjekur t’i shtyjë ata përtej kufirit drejt Polonisë.
Roja Kufitare Polake tha të dielën se 187 persona u përpoqën të kalonin nga Bjellorusia ilegalisht në Poloni të shtunën, ndërsa shifrat janë rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë muajve të fundit, megjithëse janë shumë më të ulta krahasuar me vitin 2021.
Një zëdhënëse e Rojës Kufitare të Polonisë tha se patrullat në kufi janë përballur gjithashtu me sjellje më agresive gjatë dy muajve të fundit ndërsa është rritur numri i emigrantëve.
“Grupet janë më agresive. Ka pasur shumë sulme ndaj patrullave polake. Shtatëmbëdhjetë automjete janë dëmtuar këtë vit, nga të cilat 13 vetëm në qershor”, tha zëdhënësja e Rojës Kufitare Anna Michalska.
Zëvendësministri i Shërbimeve Speciale, Stanislaw Zaryn, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se shtimi i pranisë policore në kufi ishte gjithashtu në përgjigje të transferimit në Bjellorusi të mercenarëve të grupit Wagner.
Vendimi i Presidentit Vladimir Putin për t’u ofruar trupave mercenare mundësinë për t’u zhvendosur në Bjellorusi ka shtuar drojën tek udhëheqja lindore e vendeve anëtare të NATO-s, se prania e mercenarëve mund të shkaktojë paqëndrueshmëri më të madhe në rajon.
“Ende është çështje analizash dhe hipotezash nëse grupi Wagner do të angazhohet në destabilizimin e Polonisë dhe gjithashtu nëse do të jetë aktiv në koordinimin e rrugës së migrimit”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters Zëvendësministri i Shërbimeve Speciale, Stanislaw Zaryn.
Sipas supozimeve të tij, mercenarët nuk po shkojnë në Bjellorusi për ta marrë veten, por për të kryer një mision që mund të ketë si objektiv Poloninë apo vendet e tjera si Lituania apo Ukraina.
(Zëri i Amerikës)