Polonia do të ndërtojë gardh përgjatë kufirit me Kaliningradin

Varshavë, 4 nëntor 2022 – Qeveria polake mori vendim për ngritjen e një gardhi përgjatë kufirit me eksklavënn ruse Kaliningrad, për të penguar kalimet ilegale të kufirit. Ky vendim, që u komunikua në Varshavë nga ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, u mor nga frika se Rusia mund të inskenojë një valë migrantësh në kufi.

Kaliningradi kufizohet me Lituaninë dhe Poloninë, të dy këto vende anëtare të BE-së dhe të NATO-s.

“Aeroporti në Kaliningrad tani lejon fluturimet nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Unë kam vendosur, të ndërmarr masa, për të rritur sigurinë në kufijtë polakë”, tha Blaszczak para gazetarëve dhe shtoi, se puna për bllokimin provizor të segemntit kufitar prej 210 km do të nisë brenda ditës se kësaj deklarate.

Sipas Blaszczak kompleksi kufitar do të përbëhet nga tre gardhe paralele me tela me gjemba në një lartësi prej 2,5 metrash dhe një gjerësi prej tre metrash si dhe do të ketë pajisjet e nevojshme elektronike.

Polonia në shtator të vitit të kaluar ngriti një mur të betonizuar prej pesë metrash të lartë përgjatë kufirit me Bjellorusinë dhe krijoi atje një zonë tre km të gjerë dhe 400 km të gjatë, hyrja e së cilës është e bllokuar për të gjithë ata persona, që nuk janë rezidentë në Poloni, madje edhe për punonjës të organizatave joqeveritare dhe gazetarë.

Dhjetra mijëra migrantë e refugjatë, kryesisht nga Lindja e Mesme janë përpjekur të kalojnë kufirin më 2021 nga Bjellorusia për në Poloni. Truproja kufitare polake dhe organizatat joqeveritare në vendin e ngjarjes vazhdojnë të njoftojnë për dhjetra tentativa të përditshme për kalime ilegale të kufirit.

Perëndimi beson, se vala e migrantëve nga Minsk ishte e nxitur, për të destabilizuar rajonin, gjë që e hedh poshtë qeveria bjelloruse. Ne kulmin e krizës Polonia dërgoi mijëra ushtarë dhe policë për përforcimin e patrullave të truprojës kufitare dhe miratoi një ligj, që lejon kthimin e migrantëve në Bjellorusi. Të ashtuquajturat pushbacks dhe në përgjithësi qendrimi i ashpër kundër migrantëve i qeverisë së Varshavës u dënuan nga aktivistët dhe organizatat e ndihmës.

(DW)