Polumbarët amerikanë e shqiptarë eksplorojnë anijen e mbytur në LDB

Tiranë, 15 maj 2021 – Stërvitja ushtarake “Defender Europe 2021” u zhvillua këtë të shtunë në gjirin e Dukatit. Polumbarët shqiptarë dhe amerikanë u zhytën në thellësinë e detit ku ndodhet një anije e mbytur që nga Lufta e Dytë Botërore (LDB).

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka publikuar pamjet e stërvitjed dhe shpjegimin se polumbarët u zhytën në thellësinë e detit ku ndodhet anija spitalore “PO”, e cila ishte mbytur gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi ishte goditur nga ushtria britanike.

“Në kuadër të stërvitjes ‘Defender Europe 21’ polumbarët amerikanë dhe shqiptarë u zhytën në thellësinë e tabanit detar në Gjirin e Dukatit ku ndodhet anija spitalore “PO’, e mbytur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bashi (pjesa e përparme e anijes) ndodhet në 16 metra thellësi, ndërsa kiçi (pjesa e pasme) në 37 metra thellësi”, shkruan ministri Peleshi.

Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stërvitjen “Defender Europe 21” të trupave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj të NATO-s.

Prej Luftës së Dytë Botërore, kjo është hera e parë që brigjet shqiptare shfrytëzohen për stërvitje ushtarake, me qëllim zhvillimin e aftësive të trupave aleate për zbarkim nga deti.

(r.m.)