Uashington, 30 korrik 2024 – Sipas një sondazhi të ri, Kamala Harris tani është më e popullarizuar se Joe Biden dhe Donald Trump edhe në momentet më të mira gjatë fushatës së deritashme zgjedhore.
Sondazhi i Morning Consult, i kryer midis 26 dhe 28 korrikut, në të cilin u përfshinë 11,538 votues të regjistruar, zbuloi se 50 për qind prej tyre kanë mendim pozitiv për Harrisin, kurse qëndrim të pafavorshëm kanë 46 për qind e të anketuarve, raportoi Newsweek.
Sipas sondazhit, favorizimi i zonjës Harris është 4 pikë më i lartë se ai i Bidenit ose Trumpit gjatë gjithë ciklit parazgjedhor.
Sondazhi i fundit i Morning Consult flet për 12 për qind rritje të numrit të të anketuarve që kanë mendim pozitiv për zonjën Harris. Në këtë rritje ka ndikuar rritja e popullaritetit të saj tek demokratët nga 80 për qind në 89 për qind dhe tek të pavarurit nga 31 për qind në 48 për qind.
Morning Consult pyeti të anketuarit edhe se për kë do të votojnë në zgjedhjet presidenciale. Prej tyre, 47 për qind thanë se do të votojnë për Kamala Harris, ndërsa 46 për qind e deklaruan votën e tyre për ish-presidentin Trump.
Kamala Harris e ka marrë mbështetjen e numrit të mjaftueshëm të delegatëve të Konventës Kombëtare Demokratike për t’u konfirmuar kandidate e partisë për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Ajo e ka marrë edhe mbështetjen e shumicës së figurave më të rëndësishme politike në kampin e demokratëve.
(r.m.)