Pozita dhe opozita: Rrëmbimi i tre policëve – akt agresioni i Serbisë

Prishtinë, 15 qershor 2023 – Partitë parlamentare të Kosovës e kanë dënuar rrëmbimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe në veri të vendit, duke e cilësuar atë si agresion kundër Kosovës.

Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se ngjarjet e fundit kanë preokupuar të gjithë deputetët.

“Në veçanti, me aktin barbar të Serbisë, e cila edhe një herë e dëshmoi brutalitetin, agresivitetin, e natyrisht edhe qëllimin dhe synimin e vazhdueshëm që ta destabilizojë sigurinë në Ballkan, duke kidnapuar tre policë kufitar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kusari – Lila.

Sipas saj saj, faktet e mbledhura nga vendi i ngjarjes tregojnë se policët kufitarë kanë qenë në territorin e Kosovës, kur, sipas saj, ata janë rrëmbyer nga forcat serbe.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i kanë bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të raportojë në Kuvendin e Kosovës lidhur me rastin dhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria.

“Në këtë moment, përtej qëndrimeve dhe vlerësimeve të kujtdo, prioritet duhet të jetë kthimi i policëve tanë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre, duke garantuar shëndetin dhe sigurinë e tyre”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Ky është një veprim agresioni, i dënueshëm politikisht dhe ndërkombëtarisht dhe është një veprim, i cili, në asnjë rrethanë, nuk duhet të lejohet të përsëritet. Në emër të LDK-së, kërkoj nga Qeveria e Kosovës dhe nga partnerët ndërkombëtarë, që të bëjnë të pamundurën, që për një kohë sa më të shkurtër të bëhet kthimi i zyrtarëve policorë në Republikën e Kosovës dhe marrja e masave dhe veprimeve tjera të duhura”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që policët kosovarë të lirohen menjëherë.

“Ky Kuvend, në ballafaqim me Serbinë, nuk e njeh qasjen pushtet dhe opozitë. Ajo që ka ndodhur dje, ka qenë provokim i drejtpërdrejtë, dhe në të njëjtën kohë është një akt, i cili duhet të dënohet nga ky kuvend”, ka thënë Tahiri.

Mëngjesin e 15 qershorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në të cilin kanë marrë pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës.

Në një konferencë për media, kryeministri Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë, për të cilët Prishtina pohon se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë, në brendi të territorit të Kosovës.

Kurti i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar për të dënuar veprimet e Serbisë, duke thënë se “heshtja e tyre nuk i kontribuon shtensionimit të situatës”.

“Ajo çfarë është e çuditshme, është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për përshkallëzim dhe destabilizim. E kur nuk ka, atëherë është e gatshme dhe sigurisht e aftë, që t’i krijojë ato. Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është dëshmia më e qartë dhe më e freskët për këto”, ka thënë Kurti.

Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se i kanë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë dhe se “synimi është siguria”, e cila “fillon te kufijtë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar një ditë më parë se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk e ka kaluar kufirin me Kosovën. Sipas tij, Policia e Serbisë i ka arrestuar policët e Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.

Por, autoriteteve të Kosovës kanë thënë se kanë prova të pakontestueshme se tre policët kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, gjatë një patrullimi në vijën kufitare, në vendin e quajtur Tresave/Bare, që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

(REL)