Prishtinë, 20 gusht 2022 – Situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është e qetë. Megjithatë, në këtë pjesë të territorit të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditët e fundit ka një prani të shtuar të trupave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjakë, si edhe rrugët magjistrale që shpien në këto pika, po vëzhgohen nga trupat amerikane të KFOR-it. Ato duhet të jenë dërguar në këtë zonë si përforcim kontigjentet e KFOR-it që vepronjnë në veri.
Rritja e prezencës së trupave të KFOR-it në këtë zonë ishte paralajmëruar disa herë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Për këtë ai i njoftoi personalisht Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimet që zhvilloi me ta, të enjten, në Bruksel.
Stoltenberg ka thënë se NATO është e gatshme të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti.
Më 31 korrik dhe 1 gusht, në pjesën veriore të Kosovës pati tensioni, pasi grupe të serbëve që gëzojnë mbështetjen e Beogradit vendosën barrikada në rrugë, në shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave të automjeteve të lëshuara nga Serbia me targa të Kosovës dhe për pajisje me fletëdëshmi të Kosovës të qytetarëve me dokumente indektifikimi të Serbisë me rastin e hyrjes në Kosovë.
Qeveria vendosi të pezullojë për dy muaj zbatimin e këtyre vendimeve, me rekomandimin e SHBA-se dhe Bashkimit Evropian, ndërsa serbët i hoqën barrikadat nga rrugët.
Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, edhe pas 1 gushtit ka pasur incidente me armë, të cilat, për fat të mirë, kanë kaluar pa pasoja në njerëz. Qeveria e Kosovës i ka cilësuar këto si akte të grupeve kriminale, të cilat, siç ka thënë disa herë, veprojne me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Sidoqoftë, NATO ka përsëritur se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë në rast të rrezikimit të paqes e stabilitetit në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë ka publikuar fotografi të patrullave të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës.
(r.m.)