Prishtinë, 29 nëntor 2024 – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka bërë të ditur se shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Tajvan prej 1 dhjetorit 2024.
“Duke filluar nga 1 dhjetori 2024, qytetarët e Republikës së Kosovës me pasaporta të rregullta, diplomatike ose zyrtare do të mund të udhëtojnë pa viza drejt Tajvanit”, ka shkruar Ahmeti, në një postim në Facebook.
“Kjo mundësi e re për lëvizje të lirë me Tajvanin hap rrugën për partneritete ekonomike, shkëmbime arsimore dhe bashkëpunim kulturor midis dy shoqërive tona”, ka shkruar ai.
Ahmeti e ka cilësuar këtë si një hap tjetër të rëndësishëm në fuqizimin ndërkombëtar të pasaportës së Kosovës.
“Kjo shënon një hap tjetër të rëndësishëm në fuqizimin ndërkombëtar të pasaportës së Kosovës, ku vetëm brenda këtij mandati qeverisës u mundësua udhëtimi pa viza në Zonën Shengen, Emiratet e Bashkuara Arabe, Tajlandë, Izrael dhe tani edhe në Tajvan”, ka shkruar ai.
(r.m.)