Rafaela Prifti
Premiera e filmit dokumentar shqiptar Kujtesa e Gurëve në sallën e Producers Club në Manhattan, Nju Jork të shtunën ishte prezantim kinematografik i një figure të mesjetës evropiane, Andrea Alesi, (c. 1425-1505) me të cilin shqiptarët duhet të krenoheshin nëse do ta kishin njohur. Në gurin e varrit të tij të cilin sipas dëshmive e ka punuar vetë mjeshtri pak vite para vdekjes, Alesi e ka lënë të gdhendur identitetin e tij “epirot nga Durrësi”. Një nga arkitektët më të kërkuar dhe më të suksesshëm përgjatë shekullit XV, veprat dhe punimet e Alesit janë të pranishme në vende të qytetëruara evropiane të shtrira nga Sllovenia në Kroaci deri në Italinë qendrore e jugore. Megjithatë ky personalitet i artit të Rilindjes Veneciane, Italiane e Europiane është pak ose aspak e njohur nga bashkatdhetarët e tij në shekullin 21.
Me këtë shtytje Gëzim Gjyrezi, gazetar veteran i Televizionit shqiptar, u bë nismëtari i idesë si edhe skenarist i dokumentarit Kujtesa e Gurëve. Në paraqitjen përpara premierës, Gjyrezi tha se nxitjen e parë e mori nga studimet e Profesor Ramadan Sokolit dhe Profesor Shyqyri Nimanit. Intervistat me personalitete kroate si arkitekti i mirënjohur kroat Andrea Mutnjakoviç, mjeshtri fotograf Luka Mjeda dhe Meri Kunçiç sjellin të dhëna me shumë interes për Andrea Alesin si një emër i cili është “në radhën e parë të artistëve dalmatinë.” Megjithatë ato përfaqësojnë vetëm një pjesë të literaturës akademike kroate kushtuar atij i cili ka realizuar “monumente që ruhen edhe sot, ose të mbrojtura nga shteti ose nga UNESCO,” vërejti Gezim Gjyrezi në hapjen e premierës.
Xhirimet dhe pamjet e dokumentarit paraqesin disa nga punimet e mrekullueshme në mermer dhe gur të Andrea Alesit, si edhe portrete në katedralen e Shibenikut, pageimoria e Katedrales së Trogirit, relievi i pagëzimit të Krishtit në krahët e Shën Marisë si dhe Shën Jeronimi. Sipas dëshmive historike, Andrea Alesi e ka punuar të paktën tetë herë portretin e Shën Jeronimit, dijetarit për të cilin Profesor Ramadan Sokoli teorizon se është me origjinë ilire dhe të cilin mendohet se Alesi e ka krijuar si autoportret. Nëpërmjet hulumtimeve dhe dëshmive, dokumentari jep imazhe filmike të artit të krijuar nga Alesi të cilat vizitori mund t’i shoh në Evropë tek ndërtimi i Kapelës së Kishës së Shën Ungjillorit, sarkofagu i Orsinit te Bekuar, Peshkopi i parë i Trogirit në Kroaci deri te zbukurimi i hyrjes së pallatit Nimira dhe komplekseve të tjera urbane. Ndonëse jeta e tij filloi në varfëri të plotë, talenti si gurëgdhendës e ngriti në sferat më të larta të shoqërisë dalmate të kohës në Mesjetë.
Skenaristi Gëzim Gjyrezi tha se regjisori i mirënjohur Ylli Pepo, i cili nuk mund të udhëtonte nga Tirana për premierën, në bashkëpunim me ekipin e tyre, të përbërë nga profesionistë të dokumentarit si Xhemal Reçi, Lorina Pepo, Gjergji Pano, kanë punuar me përkushtim ndonëse me mbështetje të kufizuar financiare nga Ministria e Kulturës dhe Arsimit në Shqipëri. Ndërsa ekziston një shumësi me studime kroate për skulptorin shqiptar Andrea Alesi, për të gjenden vetëm pak faqe në shqip.
Krijuesit e dokumentarit Kujtesa e Gurëve vënë në dukje kontrastin e theksuar në studime si edhe mungesën e kësaj figure në historiografinë shqiptare, dhe duke hedhur dritë mbi atë hapin rrugën për njohjen e veprave të Andrea Alesit në forma të thelluara si në antologjinë e artit shqiptar, po ashtu në teologji, arkitekturë etj. Ia vlen t’i kushtosh vëmendje varianteve të emrit të mjeshtrit të madh në literaturë dhe studimet akademike. Për shkak se jetoi dhe punoi në disa vende evropiane, paraqitja e artistit të daltimit të gurit merr trajta lingustike të përshtatura të tilla si Andrea Alessi, Andrija Aleši, (Lleshi), Andreas Alexii, Andrea di Niccolo da Durazzo. Mbase nga të gjitha punimet dhe veprat e lëna në gur në objektet fetare dhe sekulare, nënshkrimi i tij në gurin e varrit si “epirot nga Durrësi” mund të jetë “pasaporta” dhe amaneti e tij për bashkëkombasit.
Premiera e filmit dokumentar të shtunën pati edhe disa befasi për pjesëmarrësit e ardhur në Producers Club. Në pjesën prezantuese të premierës u paraqitën dy video mesazhe si vlerësime të karrierës së Gëzim Gjyrezit nga kineasti dhe gazetari Petro Lati dhe regjisori i televizionit shqiptar Jani Tane. Në përfundim të premierës, familja Gjyrezi, nëpërmjet mbesës ftoi të pranishtmit të këndonin së bashku urimin Gëzuar ditëlindjen! për Gëzim Gjyrezin. Më pas vijoi një séancë me pyetje përgjigje nga audienca midis të cilëve kishte kolegë dhe të njohur të gazetarit dhe familjes së tij. Duke komentuar për angazhimin dyvjeçar si edhe orët pagjumë dhe intensitet kushtuar projektit, e shoqja e tij Mira, tregoi se një ditë arriti deri aty sa në vend që ta thërriste me emrin e tij ajo e thërriti “Andrea”. Salla menjëherë reagoi me të qeshura dashamirëse. Edhe po të mbaronte këtu rrëfimi do mbahej mend, por Mira e ndezi sallën edhe më shumë kur tha: “Dhe ai mu përgjigj!”
Një nga pyetjet e audiencës ishte interesimi për ta parë dokumentarin Kujtesa e Gurëve në ekran dhe platforma të tjera. Adem Belliu, pronar i TV Kultura shqiptare, i cili po xhironte premierën tha se do ta ketë në programin e transmetimeve. Përsa i takon projektit të ardhshëm, Gjyrezi tha se “ky cikël do të ketë në vijim figura të tilla si Kërpaçio” e më pas Bazaiti, Mikeli i Vlorës, Albani dhe Durazzo.