Presidenca e Kosovës: Kisha Serbe s’ka hequr dorë nga veprimet luftënxitëse

Prishtinë, 7 shtator 2021 – Presidenca e Kosovës ka reaguar lidhur me thirrjet luftënxitëse të priftërinjve dhe besimtarëve të Kishës Ortodokse Serbe, në ceremoninë e shugurimit të kreut të kësaj kishe në Mal të Zi, Joakinije, të dielën në Cetinje.

Gjatë ceremonisë së shugurimit të Joanikijes janë dëgjuar edhe këngë me përmbajtje luftënxitëse, ku bëhet thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo është dëshmi se Kisha Ortodokse Serbe nuk ka hequr dorë nga diskursi i regjimit të Millosheviqit e as nga veprimet luftënxitëse të viteve të 90-ta.

“Këndimi i këngëve me motive nacional-shoviniste, me thirrje të hapur kundër Kosovës, është një praktikë e hershme, por që ka marrë fund më 1999”, ka thënë Kupina.

“Është paradoksale që në shekullin XXI, Kisha Ortodokse Serbe ende propagandon ide serbomëdha të politikës së vjetër të Beogradit”, ka shtuar ai.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht që e ka ushtrinë e vet dhe institucionet e tjera të sigurisë”, ka theksuar Kupina.

Lidhur me ngjarjet në Mal të Zi ka reaguar edhe komuniteti ndërkombëtar, duke bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

Ceremonia e shugurimit  të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, u zhvillua në atmosferë shumë të tensionuar. Ngjarja është shoqëruar me incidente serioze midis malazezëve dhe serbëve të këtij vendi.

Cetina është qendër kulturore e historike e Malit të Zi. Ajo është simbol i identitetit shpirtëror dhe shtetëror për malazezët. Por, në këtë qytet gjendet edhe selia e Mitropolisë së Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

(r.m.)