Kina mbështet përpjekjet për vendosjen e paqes në Ukrainë

Pekin, 7 prill 2023 – Kina premtoi se “do të mbështesë të gjitha përpjekjet për të rivendosur paqen në Ukrainë”.
Ky premtim u shpreh në një deklaratë të përbashkët të Presidentit kinez, Xi Jinping, dhe Presidentit francez, Emmanuel Macron, në Kinë.
Në deklaratë thuhet se Kina dhe Franca “kundërshtojnë sulmet e armatosura ndaj termocentraleve bërthamore dhe objekteve të tjera paqësore bërthamore” dhe se e mbështesin Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) “për të garantuar sigurinë e centralit të Zaporizhzhya”.
Në deklaratën e përbashkët nuk përmendet Rusia dhe nuk dënohet agresioni rus në Ukrainë, por theksohet se “gjitha palët në konflikt duhet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare”.
Presidenca franceze njoftoi më herët se Xi është gati të telefonojë homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, për herë të parë prej fillimit të konfliktit, por shtoi se presidenti kinez do ta bëjë këtë kur të gjykojë se është momenti i duhur për bisedë telefonike. Por, në deklaratën e përbashkët nuk përmendet kjo nismë e presidentit kinez.
Në muajin shkurt, Kina publikoi një dokument me 12 pika që shpreh pozicionin e saj lidhur me konfliktin në Ukrainë. Dokumenti, të cilin disa e konsiderojnë si një plan paqeje, inkurajon Moskën dhe Kievin të fillojnë bisedimet për vendosjen e paqes midis tyre.
Kina nuk e ka njohur aneksimin e katër territoreve të Ukrainës nga Rusia, përfshirë edhe aneksimin e Krimesë,në vitin 2014.
(r.m.)