Tiranë, 9 shtator 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka dekretuar emrat e ministrave të rinj të kabinetit të qeverisë Rama.
Dekreti i shkarkimit të ministrave që largohen nga kabineti qeveritar dhe emërimit të ministrave që do t’i zëvendësojnë ata u firmos nga Kreu i Shtetit sot, më 9 shtator.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj dekreton shkarkimin e ministrave që largohen nga detyra, dhe njëkohësisht emërimin në detyrë të ministrave të rinj”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Emrat e ministave të rinj që Edi Rama i prezantoi në Asamblenë e Partisë Socialite u dërguan për dekretim te Presidenti të mërkurën, më 6 shtator.
Kryeministri Rama njoftoi më 4 shtator për ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar.
Dekreti i presidentit Begaj i hap rrugë votimit në parlament për përbërjen e re të qeverisë. Votimi është planifikuar të bëhet në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila është ftuar të mbahet të hënën pasdite.
Pas votimit në Kuvend, ministrat e rinj do të japin betimin para Presidentit të Republikës. Të martën pritet që ata të marrin drejtimin e ministrive që u janë besuar nga Kryeministri Rama.
Nga ndryshimet në përbërjen e qeverisë u prekën 6 ministri. Ministria për Standardet dhe Shërbimet u shua, por qeverisë iu shtua një ministri tjetër pa portofol, Ministria e Pushtetit Vendor.
Posti i ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme iu besua Igli Hasanit, në vend të Olta Xhaçkës.
Ogerta Manastirliu u largua nga pozita e ministres së Shëndetësisë dhe u emërua ministre e Arsimit dhe Sportit.
Delina Ibrahimaj u lirua nga detyra e ministres së Ekonomisë dhe Financave për t’u emëruar ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Ervin Meta u emërua ministër i Ekonomisë dhe Financave, në vend të Delina Ibrahimajt.
Deputetes së PS Anila Debaj iu besua pozita e ministres së Bujqësisë, në vend të ministres së deritashme Frida Krifca.
Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u emëruar Albana Koçiu. Ajo merr detyrën që deri tash e mbajti Ogerta Manastirliu.
Në krye të Ministrisë së Pushtetit Vendor, e cila sapo u formula, u emërua Arbian Mazniku.
(r.m.)