Presidenti Begaj e ambasadorja Kim bisedojnë për bashkëpunimin Shqipëri-SHBA

Tiranë, 29 shtator 2022 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në Presidencë ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

Presidenti Begaj, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për situatën aktuale dhe zhvillimet politike në Shqipëri, për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe për zhvillimet dhe sfidat aktuale globale.

Ai ka thënë se të dy palët kanë shprehur vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve në planin ndërkombëtar.

Postimi i plotë:

Ditën e sotme pata kënaqësinë të pres në një takim pune Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Sh.S. Znj. Yuri Kim.

Vlerësuam partneritetin strategjik, diskutuam për çështje të rëndësishme dhe fusha jetike të bashkëpunimit dypalësh si: energjia, siguria, reforma në drejtësi, sfidat aktuale globale, etj.

Përsa i përket mandatit të Shqipërisë, në Këshillin e Sigurimit, biseduam për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm dhe shprehëm vullnetin për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë dhe bashkërenduar qëndrimet në të ardhmen për çështje të interesit të përbashkët.

(r.m.)