Tiranë, 16 janar 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dekoroi sot me medaljen e “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit” ambasadorin amerikan William G. Walker, i cili në janar të vitit 1999 denoncoi masakrën e forcave serbe në Reçak të Kosovës. Dhe motivacioni i dekoratës, një prej medaljeve më të larta të Shtetit shqiptar, kishte të bënte pikërisht me atë ngjarje të 24 viteve më parë: “Me mirënjohje dhe vlerësim të lartë për kontributin e jashtëzakonshëm për paqen, demokracinë dhe lirinë e popullit të Kosovës si dhe për denoncimin e genocidit serb në Reçak.”
Ambasadori Walker drejtonte në atë kohë Misionin Verifikues të OSBE-së. Duke i bërë të njohur botës vrasjen e 45 civilëve shqiptarë, ai, siç nënvizoi Presidenti Begaj, “ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, rajonit tonë dhe të vetë NATO-s”. Ambasadori Walker, i pari, ekspozoi në mbarë botën këtë akt mizor dhe e cilësoi masakrën para mediave si “një krim kundër njerëzimit”.
Sipas kreut të Shtetit “hijet e atyre kohërave të trishta vërtiten akoma në rajonin tonë, në epokën e një lufte tjetër të re e të përgjakshme në Evropë”. Dhe “pikërisht për të mos harruar krimet, për të ruajtur paqen dhe për të lënë një botë në paqe për fëmijët tanë, ne vlerësojmë personalitete si Ambasadori Walker, të cilët më punën dhe përkushtimin e tyre janë bërë shembull që duhen ndjekur dhe kanë hyrë në histori si ruajtës dhe mbrojtës të paqes, jetës, lirisë dhe prosperitetit të qytetarëve të Kosovës, të rajonit e të kombit tonë”.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së posaçme të organizuar në mjediset e presidencës shqiptare, Ambasadori Walker u shpreh se e pranonte atë “si shenjën më të vlerësuar, përulëse dhe “të papritur” të njohjes së përpjekjeve të mija në emër të çështjes shqiptare”. Ai shpjegoi se e konsideronte “të papritur” sepse “për pjesën më të madhe të kohës, që nga ardhja ime, në Kosovë dhe ndërveprimi i parë me një popullatë shqiptare, kam qenë i njohur, kryesisht për udhëheqjen time të Misionit të Verifikimit në Kosovë, zemërimin e menjëhershëm në mbarë botën dhe veprimet që pasuan përshkrimin tim një krimi brutal lufte, në fshatin Raçak”. Ai kujtoi dhe se si autoritetet serbe, përfshirë presidentin aktual Aleksandar Vuçiç, në atë kohë ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb Slobodan Millosheviç, ishin përpjekur ta mohonin masakrën duke e konsideruar atë një fabrikim dhe duke akuzuar ambasadorin Walker se ai “kishte qenë me mision” apo se kishte qenë “detyrë që CIA” ia kishte ngarkuar atij.
(Zëri i Amerikës)