Presidenti Begaj e kthen për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për Dekoratat

Tiranë, 13 janar 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, nuk pranon të ndajë me të tjerë kompetencën e dhënies së dekoratave për figura me ndikim në shoqëri. Për këtë arsye, të premten, ai e ktheu për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për Dekoratat.

Ky është ligji i parë që Presidenti Begaj nuk e dekreton, por ia kthen Kuvendit për rishqyrtim.

Në njoftimin e presidencës bëhet me dije se ky ligj rikthehet në Kuvend sepse, si i tillë, çon në kufizimin e kompetencës kushtetuese të Kreut të Shtetit.

“Kemi një ngushtim të kompetencës kushtetuese të Presidentit për dhënien e dekoratave nëse analizojmë me kujdes përmbajtjen e neneve të projektligjit ‘Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë,”, thuhet në arsyetimin e Presidencës.

Arsyetimi i plotë:

ARSYET E KTHIMIT TË LIGJIT NR. 93/2022, “PËR DEKORATAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në seancën plenare të datës 22.12.2022, ka miratuar ndër të tjera edhe ligjin nr. 93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj, me shkresën nr. 4386 prot., datë 28.12.2023, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë i është përcjellë Presidentit të Republikës, për dekretim dhe shpallje. Me shkresën nr. 4682 prot., datë 30.12.2022, Institucioni i Presidentit të Republikës i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, plotësimin e dokumentacionit që shoqëron ligjin. Me shkresën nr. 4386/3 prot., datë 30.12.2022, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, ka dërguar një pjesë të dokumentacionit për disa akte të miratuara në seancën plenare të datës 22.12.2022, ku mungonte relacioni shoqërues përfundimtar dhe raportet e Komisioneve për ligjin 93/2022. Me shkresën nr. 18 prot., datë 4.1.2023, Institucioni i Presidentit të Republikës i ka rikërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, plotësimin e dokumentacionit. Në datën 5.1.2023, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka sjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës, praktikën e plotë të ligjit nr. 93/2022.

Presidenti i Republikës, shqyrtoi ligjin e paraqitur për shpallje, duke iu referuar praktikës dhe procedurës parlamentare të ndjekur për propozimin, shqyrtimin dhe miratimin e tij, përmbajtjen e dispozitave të vetë ligjit nr. 93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, duke konstatuar së pari, mungesën e konsultimit të ligjit me Presidentin e Republikës, si palë e interesuar dhe organi i vetëm që përcakton Kushtetuta për dhënien e dekoratave dhe titujve të nderit.

Pasi u njohëm publikisht nëpërmjet medias, që Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka marrë në shqyrtim projektligjin “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, Institucioni i Presidentit të Republikës, me shkresën nr. 4558 prot., datë 20.12.2022, i është drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku i ka kërkuar përcjelljen në formë zyrtare të projektligjit për mendim, si palë e interesuar.

Ligji nr. 146/2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, i cili rregullon procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik të projektligjeve, projektdokumenteve strategjike kombëtare dhe vendore, si dhe politikave me interes të lartë publik duke synuar nxitjen e transparencës, të përgjegjshmërisë dhe integritetit të autoriteteve publike, kërkon si një pjesë të qenësishme të procesit, marrjen e mendimeve dhe sugjerimeve të palëve të interesuara për përmbajtjen dhe përmirësimin e projektaktit. Institucioni i Presidentit të Republikës, edhe pse është palë e interesuar në këtë proces, nuk është njoftuar zyrtarisht, nuk i është përcjellë për mendim projektligji përkatës dhe nuk është njoftuar për të qenë pjesë e procesit të diskutimeve në tërësinë e tij në shkelje të ligjit të sipërcituar dhe të procedurave parlamentare .

Nga vlerësimi i Kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe harmonizimit me legjislacionin në fuqi vendas dhe ndërkombëtar, të ligjit nr. 93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, rezulton:

Në përputhje me nenin 92, gërma “ç”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhënia e dekoratave dhe e titujve të nderit është qartësisht një kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës, si institucion i pavarur kushtetues. Në nivelin e përcaktimit si kompetencë kushtetuese, çdo ndërhyrje e mundshme për ndryshimin e saj, si në drejtim të zgjerimit apo të ngushtimit, mund të bëhet vetëm sipas një rendi të parashikuar nga Kushtetuta, pra duke ndryshuar apo shfuqizuar dispozitat përkatëse të Kushtetutës.

Konstatohet me mangësi, që në pjesën e përcaktimit të bazës ligjore mbi të cilën ai    mbështetet. Më konkretisht, ligji ka të parashikuar si bazë mbështetëse, nenet 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, por nuk citon nenin 92, gërma “ç”, të Kushtetutës.

Në këtë dispozitë të Kushtetutës përcaktohet se:

“Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:

ç. Jep dekorata dhe tituj nderi sipas ligjit”.

Është e qartë, se në këtë rast kemi të bëjmë me një kompetencë kushtetuese të Presidentit të Republikës, i cili në kuptim të Kushtetutës, është një institucion i pavarur kushtetues, me ligj rregullohet mënyra e dhënies së dekoratave dhe titujve të nderit, pasi është e qartë se cili është organi që i jep ato.

Gjykata Kushtetuese ka cilësuar në jurisprudencën e saj, lidhur me statusin dhe pozicionin e institucioneve/organeve të pavarura kushtetuese se: “Kjo pavarësi nuk është thjesht një privilegj i tyre, por një prerogativë e vërtetë dhe e domosdoshme, e cila u jep më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe efikasitet organeve dhe institucioneve kushtetuese në ushtrimin e detyrave të tyre”.

Një kompetencë të tillë, të përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë, nuk e ka në të njëjtin nivel as Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, as Kryeministri dhe as Ministrat përkatës, të cilët përcaktohen në ligj si autoritete përgjegjëse shtetërore, për dhënien e dekoratave (neni 6-17).

Nisur nga përmbajtja e neneve të ligjit të miratuar nga Kuvendi, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, konstatohet një ngushtim i kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës për dhënien e dekoratave.

Në frymën e Kushtetutës, ligji në këtë rast mund të përcaktojë dhe detajojë çështje proceduriale apo teknike të procesit të dekorimit në rastin e kompetencës së ushtruar nga Presidenti i Republikës, por nuk mund të futet deri në përcaktime dhe detaje, që deformojnë apo ngushtojnë thelbësisht këtë kompetencë kushtetuese. Krijimi i Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, e cila përbëhet nga organet drejtuese, Kancelari dhe Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve dhe kompetencat e përcaktuara për këtë strukturë kolegjiale vendimmarrëse shtetërore, i heqin një pjesë të rëndësishme të kompetencës kushtetuese në vetvete Presidentit të Republikës. Dhënia e dekoratës me dekret nga Presidenti, nuk mund të konsiderohet një akt përmbyllës i procedurës përkatëse dhe një veprim thjesht honorifik/simbolik për Kreun e Shtetit. Dhënia e dekoratës duhet konsideruar si një akt përmbyllës i një procesi vlerësimi, që i takon paraprakisht dhe vetëm Presidentit të Republikës.

Ligji i miratuar nga Kuvendi, vjen në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, në kuptim të nenit 7 dhe nenit 92/ç,  të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Përderisa neni 92, gërma “ç”, e Kushtetutës, përcakton dhënien e dekoratave dhe titujve të nderit si një kompetencë kushtetuese të Presidentit, kjo kompetencë është pjesë e objektit qendror të veprimtarisë së tij.

Përcaktimi numerik në nenin 22, të ligjit 93/2022, për numrin e dekoratave që jepen nga Presidenti i Republikës (brenda vitit kalendarik), në mungesë të një studimi/analize të detajuar, justifikuese ligjore-teknike të dhënë në relacionin shoqërues të ligjit të miratuar nga Kuvendi, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, konsiderohet si një element përmbajtësor, që çon në kufizimin e kompetencës kushtetuese të Kreut të Shtetit, në këtë rast.

Kemi një ngushtim të kompetencës kushtetuese të Presidentit për dhënien e dekoratave nëse analizojmë me kujdes përmbajtjen e neneve të projektligjit “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas ligjit 93/2022, (neni 5), Presidenti i Republikës jep me dekret këto dekorata:

Urdhri Suprem i Shqiponjës (neni 7);

Urdhri i Skënderbeut (neni 8),

Urdhri i Lisit Akademik (neni 9);

Medalja e Meritës Ushtarake (neni 10);

Medalja e Meritës Civile (neni 11);

Medalja “Nënë Tereza” (neni 12);

Medalja “Pishtar i Demokracisë” (neni 13).

Duke pasur parasysh këtë grupim dekoratash që ligji i përcakton Presidentit në kuadër të ushtrimit të së drejtës së tij kushtetuese për dhënien e dekoratave, referuar subjekteve që po sipas ligjit të miratuar, u jepen dekoratat, në nenin 21, pika 2, të ligjit gjejmë përcaktimin se: “Dekorimi i shtetasve të huaj, për shkak të funksionit, kryhet vetëm pas marrjes së mendimit të kancelarisë” .

Kancelaria nuk mund të kushtëzojë kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Sipas ligjit 93/2022, (neni 22, pika 1), përcakton:

“Urdhrin Suprem të Shqiponjës, si dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë”

Është përcaktuar një numër maksimal për t’u dhënë nga ana e Presidentit për këto kategori dekoratash, ndërkohë numri i medaljeve është i pakufizuar (pika 4, neni 22).

Po kështu, ligji përcakton, se Presidenti i Republikës, në cilësinë e kryetarit të urdhrit,

mund të dekorojë kryesisht, çdo vit, pa propozim paraprak të autoriteteve përkatëse deri në 10%, (pika 2, e nenit 22), të numrit të përcaktuar në (pikën 1, të nenit 22).

Mbi ç’bazë janë përcaktuar këto kritere numerike?

Nuk ka asnjë shpjegim në relacionin përkatës shoqërues të ligjit të miratuar.

Në këtë rast, justifikimi i përligjur analitik, i munguar, konsiderohet si element që çon në kufizimin e kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Në ligjin nr. 93/2022 të miratuar në Kuvend, krijohet një person juridik publik, i emërtuar Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, e cila përbëhet nga organet drejtuese, Kancelari dhe Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve (neni 25 dhe neni 26).

Ndër kompetencat e parashikuara sipas ligjit për këtë person juridik shtetëror, parashikohet ndër të tjera si kompetencë (pikat “a” dhe “c”, në nenit 25):

“ a) Vlerëson përmbushjen e kritereve formale të propozimit për dekorim të përcjella nga autoritetet përkatëse;

  1. c) Shqyrton dosjet e kandidaturave për dekorim, të përcjella nga autoritetet përkatëse”.

Në vazhdim, në nenin 27 të ligjit të miratuar nga Kuvendi, përcaktohet se Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve përbëhet nga nëntë anëtarë, midis të cilëve, edhe një përfaqësues i emëruar nga Presidenti i Republikës, i cili është edhe zëvendëskryetar i Kolegjit. Ky kolegj kryesohet nga Kancelari, i cili emërohet, lirohet apo shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit (pika 2 e nenit 30).

Ndër detyrat e Kolegjit sipas pikave “b” dhe “c”, të nenit 29, të ligjit citojmë:

“b) shqyrton dosjet e kandidaturave për dekorim, të përcjella nga autoritetet propozuese përkatëse, duke përfshirë edhe rastet, kur nisma për dhënien e dekoratës ndërmerret kryesisht nga autoriteti përgjegjës për dhënien e tyre;

  1. c) shprehet me vendim të arsyetuar për ligjshmërinë dhe dobishmërinë e dekorimit dhe njofton autoritetet përkatëse”.

Përmbajtja e këtyre dispozitave të ligjit konstaton dy probleme kryesore që lidhen me ushtrimin e kompetencës kushtetuese të dhënies së dekoratave nga ana e Presidentit të Republikës.

Ushtrimi i kësaj kompetence në fjalë humbet sensin përmbajtësor të saj, në çdo rast, qoftë në rastin e dekorimit mbi bazë propozimi nga autoritete të tjera shtetërore, apo edhe në rast të dekorimit kryesisht. Dhënia e dekoratës në frymën e Kushtetutës, nga ana e Presidentit të Republikës është një proces që vlerësohet si i tillë dhe duhet të zhvillohet si i tillë nga ana e Kreut të Shtetit.

Kjo është kompetencë e tij parësore dhe vetëm e tij, e ngritur në nivel kushtetues.

Edhe struktura organizative e Institucionit të Presidentit të Republikës ka pasur dhe ka në përbërje, pikërisht atë bërthamë institucionale, që vlerëson paraprakisht dhe i jep mendim Presidentit për vlerësimin e dhënies së një dekorate, në respektim të kritereve ligjore. Kjo bërthamë strukturore, pjesë e Institucionit të Presidentit është tërësisht brenda konceptit të ushtrimit të kompetencës nga ana e vetë autoritetit shtetëror, siç edhe përcakton Kushtetuta. Ligji mund të përcaktojë dhe detajojë çështje proceduriale apo teknike të procesit të dekorimit në rastin e Presidentit, por nuk mund të futet deri në përcaktime dhe detaje, që deformojnë apo ngushtojnë thelbësisht këtë kompetencë kushtetuese. Nuk mundet që një strukturë e tillë kolegjiale shtetërore e krijuar me ligj, të marrë atributet e autoritetit të lartë shtetëror, Presidentit të Republikës, kur këto atribute të tij janë të përcaktuara në Kushtetutë. Me kompetencat e dhëna Kolegjit të Urdhrave dhe Medaljeve, ligji i miratuar i ka hequr një pjesë të rëndësishme të kompetencës kushtetuese në vetvete Presidentit të Republikës. Dhënia e dekoratës me dekret nga Presidenti, nuk mund të konsiderohet një akt përmbyllës i procedurës përkatëse dhe një veprim thjesht honorifik/simbolik. Dhënia e dekoratës duhet konsideruar si një akt përmbyllës i një procesi vlerësimi që i takon paraprakisht dhe vetëm Presidentit të Republikës! Kjo është fryma e Kushtetutës.

Vendimet e Kolegjit nuk kanë efekte juridike të ligjshme, në rastin e ushtrimit të kësaj kompetence kushtetuese nga Presidenti i Republikës.

Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve, nuk mund t’i imponohet Presidentit të Republikës në vendimmarrje.

Përderisa neni 92, gërma “ç”, e Kushtetutës, përcakton dhënien e dekoratave dhe titujve të nderit si një kompetencë kushtetuese të Presidentit, kjo kompetencë është pjesë e objektit qendror të veprimtarisë së tij.

Kjo dispozitë cenon në përmbajtjen e tij, edhe parimin e shtetit të së drejtës i shprehur me përparësinë e normave të Kushtetutës, në raport me normat e tjera ligjore. Ky është një qëndrim i konsoliduar i mbajtur nga Gjykata Kushtetuese, e cila në jurisprudencën  e saj ka theksuar se, “Atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji”.

Në nenin 32, të ligjit përcaktohen subjektet që kanë të drejtën e propozimit :

Propozimi për dhënien e dekoratave bëhet nga subjektet e mëposhtme:

  1. a) Kryetarit të Kuvendit;
  2. b) Kryeministrit;
  3. c) Këshilli i Lartë Gjyqësor;

ç) Këshilli i Lartë i Prokurorisë;

  1. d) Kryetarit të Akademisë së Shkencave;
  2. dh) rektorët e institucioneve publike të arsimit të lartë;
  3. e) krerët e bashkësive fetare të njohura nga ligji; dhe

ë) njësitë vetëqeverisjes vendore

2.Propozimi për dhënien e Medalje së Shërbimit Ushtarak dhe Medaljes së Shërbimit të Rendit Publik bëhet respektivisht nga :

  1. a) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm;
  2. b) Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;

Në pikën 3, të nenit 32, evidentohet jokoherencë e teknikës legjislative dhe hierarkisë së pushteteve. Organi përkatës shqyrton kërkesën që vjen nga propozuesit dhe vendos propozimin e dekorimit ose mospranimin e kërkesës. Kjo vjen në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve në kuptim të nenit 7 dhe nenit 92/ç, të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë. Mbi propozimet e Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, KLGJ, KLP, etj, nuk mund të marrë vendime ky Organ pasi është i qartë pozicioni vendimmarrës që Presidenti i Republikës, gëzon karshi subjekteve të tjera që kanë të drejtë të dekorojnë, pikërisht për shkak të nivelit superior të kompetencës, që atij i garantohet nga Kushtetuta, në këtë proces.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në jurisprudencën e saj se: “Çdo institucion i një pushteti gëzon kompetencën sipas këtij qëllimi. Përmbajtja konkrete e kësaj kompetence varet nga fakti se cilit pushtet i përket ky institucion, nga vendi i tij midis institucioneve të tjera, si dhe nga raportet e fuqive të tij me ato të institucioneve të pushtetit shtetëror. Në përputhje me detyrat që u ka ngarkuar Kushtetuta, secili prej tyre është i pajisur me pushtet të mjaftueshëm, gjë që i jep mundësinë të marrë vendime në mënyrë të lirë e të pavarur. Asnjë organ apo institucion tjetër, në përbërje ose jo të një prej tri pushteteve nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve, që sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese.”

E drejta e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, për t’i propozuar drejt për drejt Presidentit, për dekorimet ndër të tjera, është kompetencë ex-officio e konsoliduar në të gjitha sistemet kushtetuese evropiane.

Konstituimi, në këtë format dhe me këto kompetenca, i Kancelarisë dhe Kolegjit të Urdhrave dhe Medaljeve i zhvesh organet më të larta të Republikës nga e drejta burimore kushtetuese për të propozuar tek Kreu i Shtetit për dekorimet, veçanërisht në kuadër të përafrimit të legjislacionit.

Me ligjin e ri vlefshmëria e të gjitha propozimeve që vijnë nga Kyetari i Kuvendit, Kryeministri, KLGJ, KLP, etj, në çdo rast shqyrtohet, vlerësohet dhe vendoset nga Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve përpara se vendimi përkatës t’i përcillet Presidentit, në rastin kur propozimi miratohet.

Mbi të gjitha nuk ka asnjë justifikim ligjor, apo rast të ngjashëm në praktikat ndërinstitucionale, për faktin se propozimi i Kryeministrit shqyrtohet nga një organ më i ulët se ai në hierarki, për më tepër 4 nga anëtarët e të cilit Kryeministri i emëron vetë. Kryeministri ka të drejtë dhe kompetencë t’i bëjë propozime Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit, në asnjë rast anasjelltas.

Në nenin 30 dhe 31 të ligjit përcaktohen kriteret e rekrutimit të Kancelarit dhe kompetencat e tij.

Në praktikën e vendeve të tjera evropiane Kancelari është zakonisht anëtar i Urdhrit dhe bën koordinimin e veprimtarisë së Urdhrit dhe aktivitetet e organizuara nga Urdhri. Sugjeroj që Kancelari të përzgjidhet midis anëtarëve të Urdhrit dhe t’i jepen kompetenca në organizimin e veprimtarive të tij.

Në nenin 37, të ligjit të miratuar përcaktohet se:

Cdo shtetas shqiptar i dekoruar nga shtete apo entitete të huaja, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të përcjell pranë Protokollit të Shtetit informacionin e plotë rreth dekoratës së akorduar, përshkrimin e saj fizik dhe kopje të certifikatës shoqëruese.

Këtu mendoj të shtohet detyrimi i çdo shtetasi shqiptar për të marrë miratim të shkruar, për mbajtjen në territorin shqiptar të dekoratave dhe medaljeve të një shteti të huaj. Zakonisht miratimi jepet me Dekret të Presidentit, pasi merr edhe mendimin e  institucioneve të tjera të fushës dhe moszbatimi i këtij detyrimi dënohet me gjobë.

Legjislacionet e vendeve të tjera parashikojnë gjoba edhe për shkelje të tjera në këtë fushë, si gjoba për mbajtjen e paautorizuar të medaljeve dhe dekoratave, transferimin e tyre etj.

Në dispozitat kalimtare të ligjit nr. 93/2022, të miratuar nga Kuvendi, nuk ka të përcaktuar, nëse dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit, që janë dhënë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, njihen ose jo, konvertohen në sistemin e ri apo jo dhe gëzojnë prioritete protokollare apo jo.

Argumenta mbi modelet e marra në konsideratë për përgatitjen e këtij ligji

Në relacionin mbështetës që i bashkëngjitet ligjit, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, referohet legjislacioni italian dhe ai francez, si modele të marra në konsideratë për përgatitjen e këtij ligji dhe rikthimin e traditës shtetërore shqiptare të kësaj fushe, të periudhës 1914-1944. Ju informojmë se historia e dekorimeve shqiptare, është e lidhur ngushtë me historinë e vet shtetit shqiptar dhe historinë e Institucionit të Kryetarit të Shtetit. Për analogji dhe sipas përcaktimeve të sotme kushtetuese, në pikën 1, të nenit 86, të Kushtetutës, përcaktohet se:

“Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit”

Krahasim me modelin italian

Në Republikën Italiane, kjo çështje gjen rregullim në ligjin e datës 3.3. 1951, nr. 178 (Themelimi i Urdhrit të Meritës së Republikës Italiane dhe disiplinimi i dhënies dhe përdorimit të dekoratave), i ndryshuar, më datë 13.8.2015, ku Kreu i Urdhrit është Presidenti i Republikës.

Numri maksimal i dekorimeve që mund të kryhen çdo vit në pesë klasat përcaktohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Presidentit të Këshillit të Ministrave, pas konsultimit me Këshillin e Ministrave dhe Këshillin e Rendit.

Statuti i Urdhrit miratohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Presidentit të Këshillit të Ministrave, pasi ka dëgjuar Këshillin e Urdhrit.

Në përmbledhje të gjithë sa më sipër dëshiroj të risjell në vëmendjen tuaj se, ligji i propozuar i jep Kolegjit të Urdhrave dhe Medaljeve kompetencën të masë, vlerësojë dhe shpërblejë kontributin individual të personave të propozuar për dekorim, si dhe kompetencën të masë dhe vlerësojë dobishmërinë e Shtetit Shqiptar në dhënien e dekoratave dhe medaljeve për këta.

Aktiviteti i përshkruar më lart është thjesht dhe vetëm diskrecional, për sa kontributi dhe dobishmëria nuk mund të maten me mjete apo masa konvencionale, ndaj edhe kompetenca diskrecionale i jepet Krerëve të Shtetit për shkak të detyrës dhe në parim është e patransferueshme pikërisht sepse lidhet ngushtë me detyrën dhe cilësitë e nevojshme për tu zgjedhur në atë detyrë.

Në tërësi, ndërsa modeli i zgjedhur për ndarjen e mbajtësve të dekoratave në Urdhra është shumë i mirë dhe ligji shumë i nevojshëm për të displinuar dhe standardizuar dekoratat dhe titujt, ligji i miratuar ka disa probleme kushtetuese dhe formale të teknikës legjislative, të përmendura gjerësisht më lart, prandaj në zbatim të nenit 85, pika 1, të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, kam vendosur:

Kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” datë 22.12.2022.

BAJRAM BEGAJ

(r.m.)