Uashington, 28 maj 2023 – Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, arritën një marrëveshje paraprake mbi tavanin e borxhit të qeverisë, të shtunën në mbrëmje, pas ngërçit disamujoor dhe shqetësimeve në rritje se ekonomia më e madhe në botë nuk mund të paguajë borxhet e saj.
“Pas javësh negociatash, ne arritëm një marrëveshje në parim. Kemi ende shumë punë për të bërë, por besoj se kjo është një marrëveshje në parim që është e denjë për popullin amerikan”, tha zoti McCarthy duke njoftuar marrëveshjen pas një telefonate 90 minutëshe me presidentin.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve u tha gazetarëve në Capitol Hill se ai kishte në plan të fliste sërish me presidentin Biden të dielën pasi të përfundonte së shkruari projektligjin të cilin synon ta hedh për votim të mërkurën.
Në një deklaratë, presidenti Biden e quajti marrëveshjen “një hap të rëndësishëm përpara”, duke nënvizuar se “marrëveshja përfaqëson një kompromis, që do të thotë se jo të gjithë marrin atë që duan. Kjo është përgjegjësia e qeverisjes”.
Earlier this evening, Speaker McCarthy and I reached a budget agreement in principle.
— President Biden (@POTUS) May 28, 2023
It is an important step forward that reduces spending while protecting critical programs for working people and growing the economy for everyone. And, the agreement protects my and…
Marrëveshja do të rrisë tavanin e borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh për dy vjet duke kufizuar shpenzimet gjatë asaj kohe.
Ajo gjithashtu përfshin tërheqjen e fondeve të papërdorura për COVID-19, përshpejtimin e procesit të lejeve për disa projekte energjetike dhe shtimin e disa kërkesave për programet e ndihmës ushqimore për amerikanët e varfër.
Marrëveshja është e domosdoshme për të shmangur një mospagim të borxhit që do të destabilizonte ekonominë.
Ajo duhet të miratohet nga Kongresi përpara se Departamentit të Thesarit t’i mbarojnë paratë për të paguar faturat.
Ky afat është tani më 5 qershor, sipas Departamentit të Thesarit.
(Zëri i Amerikës)