Presidenti Biden e cilëson historik vendimin e gjykatës për Ratko Mladiqin
Uashington, 8 qershor 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e quajti “historik” konfirmimin e dënimit me burgim të përjetshëm nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjës e Hercegovinës, Ratko Mlladiq.
Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet ky vendim dëshmon vendosmërinë e botës demokratike për parandalimin e mizorive si ato që janë kryer në Bosnjë e Hercegovinë.
“Ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Vendimi gjithashtu fuqizon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar ndodhjen e mizorive të ardhshme kudo në botë”, thuhet deklaratë.
“Drejtësia dhe pajtimi janë themeli i paqes dhe qëndrueshmërisë për të ardhmen, dhe vendimi i sotëm është gjithashtu një konfirmim i rëndësishëm se kjo është e mundur. Unë sinqerisht shpresoj se udhëheqësit në rajon do ta respektojnë këtë gjykim dhe do të përforcojnë rëndësinë e tij për sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratën e presidentit Biden.
“Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të mizorive të Mladiqit. Shpresoj që gjykimi i sotëm të jetë një ngushëllim për të gjithë ata që janë të pikëlluar, edhe pse kurrë nuk mund të fshijmë tragjedinë”, thuhet në deklaratë.
Aty përkujtohet se Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për t’u dhënë fund mizorive dhe për të vendosur një paqe të qëndrueshme në hapësirën e ish-Jugosllavisë si edhe për t;i nxjerrë para drejtësisë ata që kanë kryer krime gjatë luftërave në këto hapësira.
(r.m.)