Prishtinë, 1 mars 2023 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci.
Sipas ftesës, përveç fjalimit që do të mbajë krahas krerëve të shteteve të tjera sipas formatit të vitit të kaluar, Presidentja Osmani është përzgjedhur edhe në mesin e dhjetë liderëve që do të jenë folës kryesor në seancën plenare në të cilën do të diskutohet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabile.
Presidentja Osmani ka shprehur kënaqësinë që nga Presidenti Biden është ftuar në samitin ku marrin pjesë udhëheqës shtetesh nga mbarë bota.
“E kënaqur që nga Presidenti i SHBA-së kam marrë ftesë t’u bashkohem liderëve anembanë globit në edicionin e dytë të Samitit për Democraci.
Vitin e kaluar ne kemi bërë kthesë të rëndësishme në angazhimet tona, duke demonstruar përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe vlerave tona të përbashkëta”, ka shkruar presidentja Osmani në Twitter.
Delighted to accept @POTUS Biden's invitation to join leaders across the globe for the 2nd edition of the #SummitForDemocracy
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) March 1, 2023
We've achieved significant milestones in our commitments in the past year, demonstrating our dedication to strengthening democracy and our shared values. pic.twitter.com/Lntlso0Jb7
Samiti për Demokraci është nismë e Shtëpisë së Bardhë që mëton të nxjerrë në pah suksesin e demokracisë në dobi të qytetarëve si dhe adresimin e sfidave më të vështira botërore.
Më 9 dhjetor 2021, Presidentja Osmani e përfaqësoi Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci, platformë që ka bashkuar vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.
Republika e Kosovës, gjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet që kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazinë gjinore.
Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkë-udhëheqë grupin tematik për sundim të ligjit.
(r.m.)