Varshavë 26 mars 2022 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden e quajti “kasap” presidentin rus Vladimir Putin.
Këto komente Biden i bëri pas vizitës që iu bëri refugjatëve ukrainas në Varshavë të Poloni, të shtunën.
Biden u pyet nga gazetarët se çfarë po i shkonte në mendje pas vizitës që iu bëri refugjatëve ukrainas, Biden u përgjigj: “Ai [Putin] është një kasap”.
Më herët gjatë ditës, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u takua me dy ministra ukrainas në bisedimet e para ballë për ballë midis presidentit amerikan dhe zyrtarëve të lartë të Kievit që nga fillimi i pushtimit rus.
Ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba dhe ministri i Mbrojtjes, Oleksie Reznikov bënë një udhëtim të rrallë nga Ukraina në një shenjë të mundshme të rritjes së besimit në luftën kundër forcave ruse.
Takimi u zhvillua në hotelin Marriott në qendër të qytetit – përballë një stacioni treni të Varshavës ku ka pasur një fluks të vazhdueshëm refugjatësh ukrainas që nga fillimi i konfliktit.
Biden u pa i ulur në një tavolinë të gjatë të bardhë midis Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA Lloyd Austin, përballë Kulebës dhe Reznikovit, sipas raportimit të AFP-së.
Në sfond ishin flamujt e Ukrainës dhe të SHBA-së.
Biden u takua për herë të fundit me Kuleban në Uashington më 22 shkurt, dy ditë përpara se Rusia të fillonte sulmin e saj.
Që atëherë, Kuleba është takuar edhe me Sekretarin e Shtetit Amerikan, Anthony Blinken në Poloni pranë kufirit me Ukrainën më 5 mars.
Biden është në ditën e dytë dhe të fundit të një vizite në Poloni pasi u takua me krerët e BE-së dhe NATO-s në Bruksel në fillim të javës.
Të premten, ai u takua me ushtarët amerikanë të stacionuar në Poloni pranë kufirit me Ukrainën.
Ai vlerësoi ukrainasit për shfaqjen e “shtyllës kurrizore” kundër pushtimit rus dhe e krahasoi rezistencën e tyre me protestat pro-demokracisë në sheshin Tiananmen në Kinë në 1989.
“Ky është sheshi Tiananmen në katror,” tha ai.
Ai gjithashtu iu referua presidentit rus Vladimir Putin si “një njeri që, sinqerisht, mendoj se është një kriminel lufte”.
“Dhe unë mendoj se ne do të përmbushim edhe përkufizimin ligjor të kësaj,” tha ai.
Biden tha se do të kishte dashur të shihte “nga dora e parë” shkatërrimin e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
“Ata nuk do të më lënë, kuptohet, mendoj, të kaloj kufirin,” tha ai.
Më vonë të shtunën, ai do të takohet me udhëheqësit polakë, do të vizitojë një qendër pritjeje për refugjatët dhe do të mbajë një fjalim madhor mbi konfliktin.
(REL)