Uashington, 16 shkurt 2024 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e fajësoi presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e kritikut më të ashpër të Kremlinit në Rusi, Alexei Novalny.
“Nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi, por nuk ka asnjë dyshim se vdekja e Navalnyt ishte pasojë e diçkaje që bënë Putini dhe banditët e tij”, tha presidenti Biden nga Shtëpia e Bardhë, pas konfirmimit të vdekjes së Navalnyt në burg.
“Autoritetet ruse do të thonë variantin e tyre, por, mos kini asnjë dyshim. Mos kini asnjë dyshim se Putini është përgjegjës për vdekjen e Navalnyt”, tha ai.
Presidenti Biden tha se po shqyrton një seri masash për ta ndëshkuar Rusinë pas vdekjes së zotit Navalny dhe e lavdoi udhëheqësin e ndjerë opozitar për qëndresën e guximshme ndaj korrupsionit dhe dhunës së qeverisë së presidentit rus Putin.
Shërbimi Federal i Burgjeve në qarkun Yamalo-Nenets konfirmoi vdekjen e Navalnyt në burg.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij të këtij shërbimi thuhet se zoti Navalny “u ndje keq” gjatë një shëtitjeje të premten, “e humbi vetëdijen” dhe shumë shpejt vdiq.
Në njoftim thuhet se personeli mjekësor nuk arriti ta ndihmonte zotin Navalny dhe se “po punohet për të mësuar shkakun e vdekjes së tij.
“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Federal të Burgjeve në qarkun Yamalo-Nenets.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Presidenti rus Vladimir Putin është njoftuar për vdekjen e zotit Navalny dhe se shërbimet e burgjeve do të hetojnë rastin e vdekjes së tij “në përputhje me procedurat standard”.
Alexei Navalny po e vuante një dënim prej nëntë vitesh heqje lirie. Në gusht të vitit të kaluar, ai ishte dënuar me 19 vjet burgim, për “ekstremizëm”. Në muajin dhjetor, ishte transferuar në burgun IK-3, në qarkun Yamalo-Nenets, në Siberi, i cili konsiderohet njëri ndër burgjet më të rënda në Rusi.
Alexei Navalny nuk ishte zbrapsur nga veprimtaria e tij, pavarësisht prej vuajtjeve që ia kishte shkaktuar regjimi i Putinit. Ai e kishte sfiduar këtë regjim edhe me çmimin e jetës së tij.
“Nëse vendosin të më vrasin, i bie që ne jemi jashtëzakonisht të fortë. Ne duhet ta përdorim këtë fuqi, të mos dorëzohemi, të kujtojmë se ne jemi fuqi e madhe që po shtypet nga këta njerëz të këqij. Ne nuk e kuptojmë se sa të fortë jemi realisht. E vetmja gjë e nevojshme që kjo ligësi të triumfojë është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë. Pra, mos u bëni pasivë”, thotë Navalny në fund të një dokumentari me emrin e tij, që e fitoi Çmimi Oscar.
(r.m.)