Uashington, 28 prill 2022 – Presidenti Joe Biden i kërkoi të enjten Kongresit të miratojë 33 miliardë dollarë për të mbështetur Ukrainën ndërsa i bën ballë agresionit rus– një rritje dramatike e fondeve nga Shtetet e Bashkuara për Kievin — si dhe miratimin e mekanizmave të rinj ligjorë për të ashpërsuar sanksionet dhe për të konfiskuar pronat e oligarkëve rusë.
Kërkesa për fonde përfshin mbi 20 miliardë dollarë për armë, municione dhe ndihma të tjera ushtarake, si dhe 8.5 miliardë dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë ekonomike për qeverinë ukrainase dhe 3 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe ushqimore.
“Ky projektligj është i nevojshëm për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj për liri,” tha zoti Biden në Shtëpinë e Bardhë. “Kostoja e kësaj lufte – nuk është e vogël – por dorëzimi para agresionit do të ishte më i kushtueshëm.”
Presidenti Biden kërkoi gjithashtu kompetenca të reja ligjore për të konfiskuar paratë e oligarkëve rusë dhe për t’i dërguar ato më pas në Ukrainë për të financuar përpjekjet e luftës.
Administrata kërkon miratimin e të gjitha fondeve që parashikon se do t’i duhen deri në shtator, fundi i vitit fiskal, për të mbështetur operacionet ushtarake të Ukrainës, si dhe për ndihmën humanitare dhe ekonomike, tha të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.
Presidenti Biden paraqiti gjithashtu një propozim që Kongresi të miratojë kompetenca të reja për administratën e tij, që do t’i lejonin zyrtarët amerikanë të sekuestronin më shumë prona të oligarkëve, t’ia jepnin paratë e mbledhura nga konfiskimet Ukrainës dhe të ashpërsonin masat kundër shmangies së sanksioneve, tha Shtëpia e Bardhë.
Mes masave të propozuara është që të autorizohet Departamenti i Drejtësisë të përdorë ligjin e rreptë amerikan kundër mashtrimit financiar, që në të kaluarën është përdorur kundër mafies, për të vënë para përgjegjësisë ata që shmangin sanksionet.
Presidenti Biden synon gjithashtu t’u japë prokurorëve më shumë kohë për të përgatitur çështje të tilla duke e zgjatur statutin e kufizimeve për ndjekjet penale për pastrimin e parave në 10 vjet, në vend të pesë, që është aktualisht. Ai gjithashtu kërkon ta bëjë vepër penale mbajtjen e parave të marra me vetëdije nga marrëdhënie korruptive me Rusinë, sipas një përmbledhjeje të propozimeve.
Masat janë pjesë e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të izoluar dhe dënuar Rusinë për agresionin e saj ndaj Ukrainës, si dhe për të ndihmuar Kievin të rimëkëmbet nga një luftë që i ka kthyer qytetet në gërmadha dhe ka detyruar më shumë se 5 milionë njerëz të lënë vendin.
Ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën ka arritur në 3 miliardë dollarë, që kur Rusia nisi atë që ajo e cilëson “operacion special ushtarak” në Ukrainë. Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë e quajnë këtë karakterizim, një pretekst të rremë.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë kanë ngrirë 30 miliardë dollarë prona të individëve të pasur të lidhur me presidentin rus Vladimir Putin, përfshirë jahte, helikopterë, pasuri të paluajtshme dhe vepra arti, ka thënë administrata e Presidentit Biden.
(Zëri i Amerikës)