Presidenti Biden nxjerr një proklamatë dhe rregull të ri për azilin politik

Çështje të Emigracionit nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Më 4 qershor 2024, Presidenti Biden shpalli një proklamatë të re e cila i lejon të përdorë autoritetin presidencial për t’i penguar emigrantët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara në zonën mes pikave hyrëse kufitare, të kërkojnë azil politik. Ben Johnson, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Amerikane të Avokatëve të Emigracionit (AILA) deklaroi, “Konteksti brenda të cilit bëhet ky njoftim është vendimtar. Që të merresh me çështjen e numrit të madh të migracionit në kufirin e SHBA-së, nevojiten masa të jashtëzakonshme të cilat të mund të sigurojnë që sistemet e procedurave të kontrollit dhe shqyrtimit të informacionit në kufijtë e SHBA-së, janë të sigurta, të rregullta dhe efikase, si dhe njëkohësisht të trajtojnë azilkërkuesit në mënyrë humane dhe të drejtë. Pasojat që vijnë nëse dikujt që persekutohet i hiqet mundësia për një proces të drejtë dhe efikas aplikimi për azil, janë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës një çështje jete a vdekjeje.

Ligji i emigracionit (INA 212(f)) autorizon Presidentin të pezullojë ose të vendosë kufizime për hyrjen e joshtetasve në rastet kur Presidenti konstaton se hyrja e tyre do të ishte e dëmshme për Shtetet e Bashkuara. Ja çfarë shkruhet në këtë tekst:

“[K]urdo që Presidenti konstaton se hyrja e ndonjë të huaji ose e ndonjë kategorie të huajsh në Shtetet e Bashkuara mund të bjerë në kundërshtim me interesat e Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet një proklamate ai mund të pezullojë për një periudhe kohe, të cilën e gjykon të nevojshme, hyrjen e të gjithë të huajve ose të një kategorie të caktuar të huajsh, si emigrantë ose jo-emigrantë, ose të vendosë kufizime në hyrjen e të huajve, të cilat ai mund t’i konsiderojë të përshtatshme.”

Ndërkohë që nuk ka publikuar ende detaje, administrata pritet të përdorë ligjin 212(f) për të bllokuar ose dëbuar azilkërkuesit atëherë kur numri i ndalimeve në kufi arrin një nivel të caktuar. Kur arrihet ky nivel dhe “ndizet” alarmi për ushtrim autoriteti dëbimor, gjasat janë që azilkërkuesit e kapur në kufi të mos lejohen të kërkojnë azil dhe të deportohen me shpejtësi. Pikat hyrëse kufitare ka të ngjarë të mbeten të hapura dhe një numër i caktuar njerëzish mund të kërkojnë azil aty. Por edhe kapaciteti aktual nuk mjafton, pasi ka njerëz që presin katër deri në pesë muaj – ose më gjatë – për të caktuar një takim nëpërmjet aplikacionit “CBP One”, në strehimoret në Meksikë, me zyrtarët e agjencisë së kontrollit dhe doganave në kufi. Kjo politikë e re mund të çojë në një rritje të jashtëzakonshme të numrit të azilkërkuesve që janë në pritje në Meksikë, ku rrezikojnë të bien pre e rrëmbimeve, përdhunimeve dhe formave të tjera të dhunës nga kartelet rajonale. Edhe nëse politika e re garanton disponueshmëri të vazhdueshme të takimeve “CBP One” në portet e hyrjes, ajo nuk do të mund të garantojë akses të mjaftueshëm në procesin e kërkimit të azilit politik siç parashikon ligji përkatës. Ka mundësi që politika e parashikuar lidhur me pikat kufitare do të kufizojë numrin e kërkesave për azil politik, por do t’i lejojë njerëzve të kërkojnë forma më të kufizuara të mbrojtjes humanitare, si p.sh. Withholding of removal (ndalim dëbimi i përkohshëm nga vendi) dhe Convention Against Torture (mbrojtje që u ofrohet personave që nuk kualifikohen as për azil politik as për withholding of removal).

Ben Johnson deklaroi gjithashtu, “Me shpalljen e kësaj Proklamate të re Presidenciale, Presidenti tregoi se në javët në vijim do të ndërmerrte hapa për ta bërë sistemin më të drejtë. Për miliona amerikanë dhe familjet e tyre, ky është një prioritet urgjent. Ne i bëjmë thirrje administratës që të adresojë mungesën e sigurisë dhe garancisë për të ardhmen me të cilën përballen personat pa dokumente për një kohë të gjatë, shumë prej të cilëve janë të martuar me nënshtetas amerikanë. Këto familje amerikane meritojnë vëmendjen e administratës madje edhe atëherë kur kjo vëmendje është përqendruar tek sfidat në kufi.”

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]