Uashington, 27 korrik 2022 – Presidenti Joe Biden ka rezultuar negativ pas testimit për koronavirusin. Ai u infektua një javë më parë dhe tashmë po i jep fund periudhës së izolimit në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi të mërkurën doktori i tij.
Presidenti Biden vazhdon të mos ketë temperaturë dhe nuk po merr më acetaminofen (Tylenol), njoftoi Dr. Kevin O’Connor nëpërmjet një deklarate të qarkulluar nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti rezultoi negativ nga dy testime, të martën në mbrëmje dhe të mërkurën në mëngjes.
Presidenti Biden u paraqit sot përpara gazetarëve në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.
Ai u tha amerikanëve se “COVID-i nuk është larguar”, por se sëmundja e rëndë mund të shmanget nëpërmjet vaksinimit, dozave përforcuese dhe ilaçeve.
“Nuk duhet të jeni president për t’i patur këto mjete”, tha ai.
Presidenti ka pasur simptoma të lehta, përfshirë kollë, dhimbje fyti dhe dhimbje trupi, që kur rezultoi fillimisht pozitiv të enjten e kaluar.
“Simptomat e tij janë përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme dhe janë larguar pothuajse plotësisht”, tha dr. O’Connor.
Presidenti Biden, i cili është në moshën 79 vjeçare, do të mbajë maskën për 10 ditë kur të jetë në prani të personave të tjerëve, tha mjeku, duke pasur parasysh ekspozimin e mundshëm të personelit të Shërbimit Sekret dhe stafit të Shtëpisë së Bardhë që janë në afërsi të tij.
Dr. O’Connor tha se Presidenti Biden do të testohej rregullisht për të pikasur ndonjë rast të mundshëm “rikthimi” të COVID-19, që është përjetuar nga disa pacientë që janë trajtuar me Paxlovid, ilaçin që mori presidenti.
(Zëri i Amerikës)