Uashington, 21 korrik 2022 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden rezultoi pozitiv për COVID-19 të enjten dhe ka “simptoma shumë të lehta”, tha Shtëpia e Bardhë.
Zoti Biden, 79 vjeç, do të vazhdojë të punojë dhe ka filluar të trajtohet me ilaçin antiviral Paxlovid, sipas sekretares së tij të shtypit, Karine Jean-Pierre.
“Ai është i vaksinuar katër herë kundër Covid-19 dhe ka simptoma shumë të lehta,” tha ajo përmes një deklarate.
“Në përputhje me udhëzimet e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ai do të izolohet në Shtëpinë e Bardhë dhe do të vazhdojë të kryejë detyrat e postit gjatë kësaj kohe”, vazhdon deklarata e Shtëpisë së Bardhë.
Zonja Jean-Pierre tha se presidenti Biden kishte folur me stafin e tij me telefon dhe do të vazhdojë të marrë pjesë në takime në distancë derisa të shërohet.
Shtëpia e Bardhë, ndërkohë do të japë informacione të rregullta për shëndetin e presidentit, tha zonja Jean-Pierre.
(Zëri i Amerikës)