Uashington, 3 nëntor 2022 – Duke paralajmëruar se demokracia është në rrezik, presidenti Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve, që të shfrytëzojnë votën e tyre për zgjedhjet në Kongres, që mbahen javën e ardhshme, që të kundërshtojnë gënjeshtrat, dhunën dhe përçarjen e rrezikshme të shkaktuar nga ata, që zoti Biden i quajti, “Ultra MAGA”, duke iu referuar sloganit kryesor të ish presidentit Donald Trump. Para zgjedhjeve të para federale, që nga sulmi në Kapitol, presidenti Biden theksoi përpjekjet e paraardhësit të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ai u bëri thirrje votuesve që të mbështesin kandidatët, që janë të gatshëm të pranojnë rezultatin e zgjedhje, cilido qoftë ai.
Gjashtë ditë para se amerikanët të votojnë për përfaqësuesit e rinj në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, presidenti Joe Biden bëri një paralajmërim të ri për kërcënimet ndaj demokracisë së vendit, duke thënë se ata që refuzojnë të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve po i çojnë Shtetet e Bashkuara drejt rrugës së kaosit.
“Ndërsa qëndroj këtu sot, ka kandidatë që garojnë në çdo nivel; për guvernator, Kongres, Prokuror të Përgjithshëm, Sekretar Shteti, të cilët do të refuzojnë të pranojnë rezultatet e garave që marrin pjesë. Kjo është rruga e kaosit për amerikanët dhe është e paprecedentë”, tha zoti Biden.
Gjatë fjalimit të tij televiziv mbrëmjen e së mërkurës, zoti Biden theksoi se e ardhmja e demokracisë varet nga këto votime, nëse amerikanët do të mbështesin kandidatë, që do të pranojnë rezultatin, cilido qoftë ai.
Në fjalimin 21 minutësh, presidenti Biden kritikoi paraardhësin e tij, Donald Trump, për, siç u shpreh ai, vazhdimin e përhapjes së pretendimeve të rreme për vjedhjen e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke thënë se kjo ka shkaktuar rritje të rrezikshme të dhunës politike dhe frikësimin e votuesve gjatë dy viteve të fundit.
“Ai refuzon të pranojë vullnetin e popullit. Ai refuzon të pranojë faktin që humbi. Ai ka shpërdoruar pushtetin dhe ka vënë interesat e tij para Kushtetutës”, tha zoti Biden.
Disa ligjvënës republikanë, i cilësojnë si të tepërta shqetësimet dhe retorikën e presidentit Biden. Ata thonë se qëllimi i tij është zhvendosja e vëmendjes së publikut nga ato që ata i quajnë dështimet e Partisë Demokratike.
Ky fjalim vjen disa ditë pasi një person,bë u përpoq të rrëmbente kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, plagosi rëndë bashkëshortin e saj, Paul Pelosi, në shtëpinë e tyre në San Francisko, shembulli më i rëndë i dhunës politike pas sulmit të 6 janarit të vitit të kaluar në Kapitol.
Punonjësit elektoralë në mbarë vendin janë në mëdyshje nëse duhet të kthehen në punë, pas shtimit të rasteve të frikësimit të tyre para ditës së zgjedhjeve. Të paktën pesë persona janë akuzuar për krime federale për trysni dhe frikësim të punonjësve elektoralë, që nga fillimi i votimeve të hershme për Kongres.
Rezultati i zgjedhjeve për Kongresin pritet të përcaktojë të ardhmen e programit të presidenti Biden gjatë dy viteve të ngelura të mandatit të tij.
Shumica e sondazheve parashikojnë se republikanët do të fitojnë vota të mjaftueshme për marrjen e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse republikanët marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, kjo do ta vështirësonte miratimin e çdo nisme, përveç atyre që janë dypartiake.
(Zëri i Amerikës)