Uashington, 16 dhjetor 2021 – Presidenti Joe Biden vizitoi zonat që u goditën nga tornadot në pjesën qëndrore të Shteteve të Bashkuara. Presidenti vizitoi Kentakin, ku pasojat ishin më të rëndat.
Shkatërrim, vdekje dhe dëshpërim.
Këto janë skenat me të cilat u përball Presidenti Joe Biden të mërkurën teksa vizitoi tri komunitete të Kentakit të goditura më rëndë nga tornadot e fundjavës: Fort Campbell, Mayfield dhe Dawson Springs. Stuhitë që përshkuan Kentakin dhe shtatë shtete të tjera vranë të paktën 88 njerëz dhe lanë mijëra të pastrehë.
Në një rrugë në qytetin e vogël Bowling Green, 7 nga 14 viktimat ishin fëmijë. Sipas lajmeve lokale, një familje në atë rrugë humbi katër fëmijë të vegjël. Fqinjët e tyre humbën tre.
Pasi vizitoi disa nga zonat e shkatërruara, presidenti Biden premtoi ndihmë shtesë, me më shumë fonde federale për të mbuluar punën emergjente, spastrimin e rrënojave dhe ndihmën e drejtpërdrejtë federale. Ai u zotua se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Unë synoj të bëj gjithçka që duhet, për aq kohë sa duhet për të mbështetur shtetin tuaj, udhëheqësit tuaj lokalë, ndërsa rimëkëmbeni dhe rindërtoni. Sepse do të rikuperoni dhe do të rindërtoni. Përmasat e këtij shkatërrimi janë të jashtëzakonshme”, tha presidenti.
Çfarë e shkakton këtë mot ekstrem? Victor Gensini, një profesor i meteorologjisë në Universitetin e Illinoit Verior, thotë se veprimtaria e njeriut është një arsye përse tornadot duket se janë zhvendosur nga shtetet jugore më në qendër.
“Ne mendojmë se ndryshimet janë për shkak të ndryshimit të klimës me fushat jugore të Teksasit dhe Oklahomas që janë tharë, duke u bërë si shkretëtirë. Kjo e shtyn kërcënimin e motit të keq më tej në veri dhe më në lindje për shkak të këtyre kushteve klimatike në ndryshim. Ky, natyrisht, është një ndryshim i madh, sepse nëse ka më shumë tornado në zona si Mayfield në Kentaki, ka më shumë njerëz, më shumë dendësi të popullsisë në lindje të lumit Misisipi, më shumë prona për t’u goditur“, thotë Victor Gensini, profesor i meterologjisë
“Një gjë që mund të bëjë administrata është të marrë një qëndrim më të rreptë për kodet e ndërtimit”, tha ai.
“Këto ndërtesa, shumë prej të cilave i gjen në të gjithë vendin – qendrat e të dhënave, magazinat e Amazon, apo diçka tjetër – janë ndërtuar si balona. Ne duhet të shohim që këto lloj kompanish që kanë qindra njerëz në çdo kohë të caktuar në një magazinë, të kenë qasje në banesa të sigurta”, thotë Victor Gensini, profesor i meterologjisë
“Kjo është pjesë e iniciativës së tij të politikës së brendshme, për të përmirësuar infrastrukturën përmes një projekt-ligji të ashpër që u miratua përgjatë linjave partiake”, tha zoti Biden.
Guvernatori demokrat i shtetit, Andy Beshear, tha se mbështetja e fuqishme e tejkalon politikën.
“Bujaria dhe dashuria e pastër e pakushtëzuar nga i gjithë ky vend dhe në mbarë botën kanë qenë të mëdha. Miliona dollarë – dhe më shumë ujë, pelena, xhupa, mallra shtëpiake janë sjellë këtu. Edhe si shtet ne nuk jemi vetëm. Presidenti Biden dhe qeveria federale kanë ofruar më shumë ndihmë dhe kanë vepruar më shpejt se sa kemi parë ndonjëherë në historinë e Shteteve të Bashkuara“, tha Andy Beshear.
“Banorët e Kentakit janë njerëz të mirë dhe shpresëdhënës. Dhe ata do të rindërtojnë jetën e tyre, së bashku”, tha ai.
(Zëri i Amerikës)