Presidenti i AP të NATO-s: Të parandalojmë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor nga Rusia e Kina

Prishtinë, 8 tetor 2022 – Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald Connolly, ka kërkuar nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që së bashku me vendet euroatlantike të punojnë për të parandaluar destabilizimin e rajonit pas agresionit rus në Ukrainë.

Në videomesazhin e tij në Seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Connolly u shpreh se invazioni rus ka cenuar peizazhin e sigurisë në botë, ndërsa vendet demokratike duhet të qëndrojnë krah njëra-tjetrës për të kaluar edhe këtë sfidë.

“Me këtë agresion Rusia dëshiron që të shkatërrojë demokracinë në Ukrainë dhe ta bëjë këtë edhe kudo. Shtetet tona duhet të qëndrojnë me njëra-tjetrën me të gjitha kombet demokratike për të luftuar këtë krim që po e bënë Rusia ndaj demokracive të tjera… Siguria jonë është e ndërlidhur ngushtë për këtë Ballkani Perëndimor dhe shtete euroatlantike duhet të punojnë bashkë për të tejkaluar sfidat e rajonit dhe të pengojnë destabilizimin nga fuqitë jo demokratike siç janë Rusia dhe Kina”, tha ai.

Ambasadori zviceran në vendin tonë, Thomas Kolly, u shpreh se fakti që Kosova po mirëpret këtë seminar për herë të dytë tregon se është e përkushtuar drejt sigurisë në Ballkanin Perëndimor por edhe në Evropë.

Ai tha se për Zvicrën paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme.

“Diskutimet tona janë më një synim të përbashkët, promovimi i një të ardhme paqësore dhe demokratike për Ballkanin Perëndimor në kontekst të integrimit evropian të këtij rajoni… Në dritën e luftës së Rusisë në Ukrainë që është në kundërshtim me drejtën kombëtare dhe vlerat themelore, diskutimi për siguri që ka të bëjë me shqetësimet në kontinentin e Evropës është më i rëndësishëm se kurrë duke pasur parasysh sfidat aktuale të sigurisë, promovimi i standardeve demokratike dhe roli qe ka parlamenti në mbikëqyrje është jashtëzakonisht i rëndësishëm… Paqja në Ballkanin perëndimor mbete njëra nga prioritet e politikës së jashtme të Zvicrës.. kontributi i Zvicrës ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin perëndimor është i shumëfishtë”, tha ai.

Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s filloi sot punimet në Prishtinë. Temë bosht e seminarit është: “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“.

Në samitin treditor do të diskutohet për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë.

Në seminar pomarrin pjesë rreth 100 deputetë të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere, si edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të sigurisë.

(r.m.)