Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë nuk e dëshiron në grup Shqipërinë në Euro 2024

Beograd, 27 nëntor 2023 – Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Dragan Xhajiq, ka folur për shortin për Kampionatin Evropian 2024 që do të hidhet më 2 dhjetor, në Hamburg.

Xhajiq ka thënë se nuk do të donte që Serbia të bie në të njëjtin grup me Shqipërinë, pasi e konsideron kundërshtare të fortë. Ai e ka renditur kombëtaren e Shqipërisë pas kombëtareve më të forta, se Gjermania, Spanja, Franca etj.

“Kushdo që të na bie (në grup) do të jetë një kundërshtar i fortë. Nuk mund të them ‘Jo vetëm Gjermania, Spanja, Franca… Ato janë të vështira. Por, edhe Rumania apo, zoti na ruajt, Shqipëria, janë kundërsgtarë të vështirë. Të gjithë mund të na shkaktojnë probleme”, ka thënë ai.

Serbia ndodhet në grupin e katërt gjë që do të thotë se nuk do të mund të luajë kundër Italisë, Zvicrës dhe tri kombëtareve që do të kualifikohen përmes play-off-it. Ajo  mund të bjerë në grup me Kroacinë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Hungarinë.

(r.m.)