Presidenti i Klubit të Futbollit “Tirana”, Refik Halili, akuzohet për fshehje të ardhurash

Tiranë, 1 gusht 2024 – Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten se kishte dërguar në gjykatë çështjen ndaj presidentit të Klubit të Futbollit “Tirana”, Refik Halili, për fshehje të ardhurash.

Në njoftimin për shtyp të prokurorisë bëhet e ditur se hetimet në këtë rast kanë filluar në vitin 2017 dhe janë mbyllur vetëm pas 7 vitesh.

“Në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr.1755, të vitit 2017, rezultoi se për vitet 2014, 2015, 2016, ‘Futboll Klub Tirana’ ka pasur të federuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit 29 lojtarë për sezonin futbollistik 2014-2015 dhe 26 lojtarë për sezonin 2015-2016. Por, në këto dy vite asnjë nga lojtarët e federuar nga FSHF për “Klubi i Futbollit Tirana” nuk u deklaruan në listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të subjektit”, thuhet në njoftim.

Prokuroria pretendon se Halili dhe Klubi i Futbollit ‘Tirana’ kanë fshehur të ardhura në shumën 51.9 milion lekë. 

“Nga analizimi i të dhënave prokuroria doli në konkluzion se subjekti ‘Klubi i Futbollit Tirana’ sh.a dhe administratori i kësaj shoqërie, shtetasi R.H., gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre, kanë fshehur të ardhurat në vlerën totale prej 51.975.745 lekësh, duke bërë të mundur shmangien e Tatimit mbi Fitimin dhe Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, i cilësoi si “skandaloze” akuzat. Ai tha se po përgatisnin një përgjigje të detajuar lidhur me këto akuza.

(r.m.)