Presidenti i Kroacisë: Kosova kishte mbështetje të madhe, tani i është lënë vetvetes

Zagreb, 4 gusht 2024 – Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, deklaroi të dielën se Kosova “i është lënë vetëvetes”.

Në manifestimin tradicional “Sinjska Alka”, ku ishte musafire edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Milanoviq krahasoi rrugëtimet e Kroacisë dhe të Kosovës drejt pavarësisë së tyre. Ai tha se Kosova kishte mbështetje të madhe nga aleatët dhe miqtë, por tani nuk e gëzon atë. Ai e ka përdorur si argument për këtë faktin se pesë shtete anëtare të BE-së dhe NATO-s nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.  

“Ne filluam vështirë, na mbrojtën pak njerëz të mirë dhe nuk kishim ndihmë në fillim. Të gjithë ata aleatë dhe miq qëndruan duarkryq. Kosova filloi ndryshe, me mbështetje të madhe që humbi dhe u zhduk në ndërkohë. Dhe tani ata i janë lënë vetvetes. Pesë anëtarë të BE-së dhe NATO-s nuk e kanë njohur. Prandaj ajo [presidentja Osmani] është sot është mysafirja ime dhe kjo është arsyeja pse, përveç festimeve tona dhe ditëve të krenarisë dhe lavdisë sonë, kjo është edhe nderim dhe mirënjohje për vendin tonë mik”, tha Milanoviq, citon Index.hr.

Presidentja e Kosovës e ka falënderuar presidentin kroat për ftesën që të merrte pjesë në manifestimin “Sinjska Alka”, t՞ cilin e ka cilësuar si ngjarje që e nderon rezistencën heroike të ushtarëve kroatë.

“Faleminderit Presidentit Zoran Milanović për ftesën për t’iu bashkuar miqve tanë kroatë në Sinjska Alka këtë vit!

Në prani të mijëra qytetarëve kroatë dhe bashkë me liderë shtetëror të Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës, shënuam Sinjska Alka, një nga ngjarjet më të rëndësishme për popullin kroat, që nderon rezistencën heroike të ushtarëve kroatë, nëpërmjet një sërë aktivitetesh kulturore”, ka shkruar Osmani.

(r.m.)