Presidenti i NDI pritet nga nënkryetarët e PD-së Rushaj dhe Tabaku

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Alfred Rushaj dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku u takuan sot me Presidentin e NDI Derek Mitchell dhe Drejtorin e Përgjithshëm të NDI për Europën Qendrore dhe Lindore Robert Benjamin.

Rushaj e falenderoi presidentin Mitchell për ndihmën e pakursyer që NDi i ka dhënë jetës parlamentare në Shqipëri dhe veçanërisht PD-së. Ndërkohë që Tabaku shprehu vlerësime në ndihmën specifike që NDI ka dhënë për të rinjtë e PD dhe gjithashtu për zonjat në këtë forcë politike.

Mitchell dhe Benjamin u njohën gjithashtu me procesin e krijimit të Institutit Parlamentar, një gurë themeli në lidhje me transparencën edhe gjithëpërfshirjen e qytetarëve në jetën politike dhe politikbërjen. Ata theksuan rëndësinë e këtij procesi dhe domosdoshmërinë që Shqipëria ka për transparencën.

Takimi i tyre pati në fokus rëndësinë e Vettingun në Politikë dhe ndryshimet kushtetuese që PD ka kërkuar në Parlament si një mjet për të përforcuar më tej demokracinë në vend. Përfaqësuesit e opozitës u shprehën se janë plotësisht në mbështetje të krijimit të këtij organizmi, përmes një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës së bashku me opozitën.

 

 

Ata gjithashtu u shprehën se komisionet parlamentare po përdoren nga opozita për të pasur nën kontroll qeverinë, sikundër informuan presidentin e NDI dhe Drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore për komisionet hetimore që ka ngritur opozita.

Ata përshëndetën dhe vlerësuan Partinë Demokratike për përfshirjen e grave dhe të rinjve në politikë. Si dhe shprehën gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes së tyre në ndihmë të jetës parlamentare.